Prokuroria e Posaçme njoftoi zyrtarisht se ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të deputetit demokrat Asllan Dogjani, lidhur me deklaratën e pasurisë për një apartament me vlerë 120.000 euro.
Më 24 mars 2010, në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës pranë ILDKPKI, Asllan Dogjani ka deklaruar se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen.
Në mbështetje të këtij deklarimi, ai paraqiti kontratën me nr.7030 rep. dhe 781 kol. të datës 6 dhjetor 2006, tek e cila, i pandehuri u mbështet sërish edhe në deklarimin e datës 16 Qershor 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
SPAK thotë se në ndryshim nga deklarimet e bëra, hetimet e këtij procedimi penal treguan se i pandehuri Asllan Dogjani është bërë pronari i apartamentit të lartëpërmendur, bazuar në kontratën me nr.7030 rep dhe 781 kol, dt.6 shtator 2006, në të cilën parashikohej se vlera e apartamentit do të ishte 121.980 euro, shumë të cilën i pandehuri ia ka likuiduar shoqërisë përmes pagesave cash.
Nga provat shkresore dhe ato të paraqitura nga dëshmitarë, rezulton se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër rep. dhe kol. si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të këtij apartamenti. Kjo tregon se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme.
Pra, SPAK ka arritur të provojë se Asllan Dogjani nuk e ka përfituar apartamentin në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen kompanisë së ndërtimit “Protial”, por në këmbim të pagesave cash.