Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, mbajti fjalën e saj përshëndetëse në Senatin Francez në eventin “Apollonia e Ilirisë, 100 vite kërkime arkeologjike franko-shqiptare”, me pjesëmarrjen e zv/Presidentit të Senatit Pierre Ouzoulias.

Në ligjërimin e saj, ministrja Kumbaro përmendi historinë e krijimit dhe figurat më të shquara që çuan përpara këtë mision: “Jam shumë e nderuar të marr pjesë në këtë seminar dedikuar 100-vjetorit të misionit arkeologjik franko-shqiptar të Apollonisë në Shqipëri. Arkeologjia franceze në Shqipëri, (mund ta quajmë madje arkeologjia franko-shqiptare), është e vjetër, me vëzhgimet, kërkimet dhe gërmimet e para, që mund t’i quaj para-shkencore dhe shpesh të ushqyera nga romantizmi historik i pasionuar, të udhëtarëve dhe konsujve francezë në Shqipëri dhe Epir gjatë shekullit XIX. Ajo pati fillimet e saj të vërteta institucionale pas Luftës së Madhe, falë vullnetit të Justin Godart, ministër, deputet, senator, kryetar i qytetit të Lionit dhe pasionuar pas historisë dhe kulturës, duke vazhduar me aventurën e jashtëzakonshme të arkeologut Léon Rey, i cili kaloi më shumë se 17 vjet të jetës së tij për të krijuar dhe zhvilluar misionin e parë shkencor të vërtetë në Shqipëri. Kjo punë u pasua më tej nga kërkues francezë, shqiptarë të formuar në Francë ose frankofonë, për të arritur kulme me punën dhe angazhimin e profesorit të shquar Pierre Cabanes, vazhdues i misionit me kolegun e tij të shkëlqyer shqiptar, profesorin

Neritan Ceka, dhe ish-drejtor i misionit arkeologjik franko-shqiptar të Apollonisë, autor i një Corpus monumental të shkrimeve të Ilirisë Jugore dhe Epirit, si dhe i veprave dhe artikujve shkencorë. Dëshiroj gjithashtu të përshëndes punën që bëjnë edhe personalitete të tjera në kuadër të këtij bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Francës në fushën e arkeologjisë. Disa prej tyre janë midis nesh këtë mëngjes, Etleva Nallbani ose Saimir Shpuza, të cilët dua t’i uroj dhe falënderoj veçanërisht për angazhimin e tyre. Apollonia, është ky vend ku, falë kontributit të çmuar të paraardhësve të francezëve të pranishëm në publik, ndodhet sot një nga thesaret e kulturës mesdhetare antike, të cilin e vizitojnë çdo vit mijëra francezë, pasardhësit e pionierëve të parë, duke forcuar edhe më shumë lidhjen mes popujve tanë.”

Gjatë fjalimit të saj, ministrja Kumbaro përmendi rolin e Shqipërisë si një pikëtakim kulturash mes lindjes dhe perëndimit, prej nga ka trashëguar shumë site të mbrojtura nga UNESCO, siç është edhe qyteti i Gjirokastrës, që francezët e kanë njohur përmes shkrimtarit Ismail Kadare, për të cilin Franca ishte shtëpia e tij e dyë.

“Shqipëria, një pikëtakim i kulturave po aq sa një urë lidhëse mes lindjes dhe perëndimit, mes Mesdheut dhe pjesës qëndrore të Ballkanit. Një vend ku në pak distancë mund të gjesh qytetet trashëgimi të UNESCO-s me arkitekturë otomane siç është për shembull Gjirokastra, vendlindja e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, dhe ma lejoni këtë mungesë modestie sepse është edhe vendi prej nga vij unë, por që Ismail Kadare e gjeti më pas shtëpinë e tij të dytë këtu në Francë dhe e përshkruante Gjirokastrën si “një qytet të pjerrët, ndoshta më i pjerrëti në botë”. Botë që i kishte thyer të gjitha ligjet e arkitekturës – dhe kjo ishte bota shqiptare e Gjirokastrës – të githa ligjet arkitekturore dhe urbanistike. Është ende aty. Një vend mikpritjeje. Është vendi i fëmijërisë së tij, ku shumë gjëra ishin të pabesueshme dhe shumë gjëra ishin si në ëndrra. Në fakt, këto janë realitetet që ju ftoj të vizitoni”, u shpreh Kumbaro. Më tej, ministrja Kumbaro foli për zhvillimin turistik të Shqipërisë dhe përvojat origjinale që po joshin gjithnjë e më shumë vizitorë francezë në vendin tonë.

“Shqipëria sot po përjeton një rritje të jashtëzakonshme ose një bum turizmi. Dhe jo vetëm për bregdetin e rërës së Adriatikut dhe plazhet shkëmbore plot me shpellat misterioze të detit Jon. Filozofia që përkufizon Shqipërinë si një “destinacion unik” do të thotë të lidhesh miqësisht me banorët e këtij vendi, të cilët të ftojnë menjëherë të bëhesh pjesë e botës së tyre. Është të ndash me ta përvoja origjinale. Të shohësh në perspektivën e një dielli portokalli të zhytur në detet Jon dhe Adriatik mbi 450 kilometra bregdeti, i cili magjeps me relievet dhe shpellat e tij në jug dhe me plazhet e gjata rërë që mirëpresin mijëra pushues ose hapin skenat e festivaleve të verës. Kjo është arsyeja pse slogani ynë është “Albania All Senses” si një ftesë për të shijuar Shqipërinë në të gjitha shijet e saj”, përfundoi ministrja Kumbaro.

Në dhjetë muajt e këtij viti, më shumë se 200,000 francezë vizituan Shqipërinë, ose 75% më shumë se vitin e kaluar. Gjatë tetorit, drejtuesit e unionit francez “Les Entreprises du Voyage” mbajtën në Tiranë konvenën e tyre të radhës, si një destinacion me rritje të shpejtë për vizitorët francezë.