Nga Gentjan Pira/
FIFA ka caktuar zyrtarisht vendet e Kupës së Botës 2030 dhe 2034, Spanja, Maroku, Portugalia dhe një pjesë e Amerikës së Jugut (Argjentina, Uruguaji dhe Paraguaji) do të jenë nikoqirë të Kupës së Botës.
Më pas do të jetë radha e Arabisë Saudite në vitin 2034. Vendimi i dyfishtë u mor nëpërmjet votimit të një kongresi virtual të FIFA-s, por pa dyshim që dy kandidaturat u gjendën të vetme në garë për çdo edicion.
“Mund të konfirmoj zyrtarisht se pritësit e Kupës së Botës FIFA 2030 do të jenë Maroku, Portugalia dhe Spanja. Me kënaqësi të madhe ju njoftoj se ndeshjet e festimit të 100-vjetorit si pjesë e Kupës së Botës FIFA 2030, do të priten bashkërisht nga Argjentina, Paraguaji dhe Uruguaji!”,- deklaroi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino gjatë kongresit.
Dikush me siguri do të jetë përpjekur të llogarisë sa vjeç do të jetë Cristiano Ronaldo në vitin 2030. Arsyeja? Kupa e Botës do të luhet gjithashtu në vendin e CR7, por ai në atë kohë duhet t’i ketë kaluar 45 vitet.
Me lojtarin e Al Nassr nuk mund të thuash kurrë kurrë, por duket e ndërlikuar që ai të ketë sukses për të qenë i pranishëm. Megjithatë, Nani, i intervistuar në një event në Cidade do Futebol, tha me shaka për këtë mundësi: “Nuk kam asnjë dyshim! Ai do të mbajë një dietë tjetër dhe do të jetë vërtet atje. Le të shpresojmë që Cristiano të jetë ende aty për të shënuar gola!”.