Gazmond Haxhifejzullahi, bashkëshorti i kandidates për deputete të Lëvizjes Vetëvendosje, Edona Llalloshi, është arrestuar nga Policia e Kosovës pasi akuzohet për dhunë në familje. Nga ajo çfarë raportojnë mediat e Kosovës, pretendohet se përplasja brenda në familje ka nisur për një pronë që i takon këngëtares dhe kandidates për deputete. Por ende detaje të tjera nuk janë bërë me dije.
Rasti është konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
”Lidhur me çështjen për të cilën keni kërkuar informata, ju njoftojmë se rasti të cilit i referoheni është në fazën e hetimeve nga ana e prokurorit të çështjes dhe ndaj të njëjtit është parashtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit, kurse më shumë informata lidhur me këtë rast nuk mund të jepen”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Edhe pse ngjarja është bërë publike, as Llalloshi dhe as bashkëshorti i saj nuk janë prononcuar për të dhënë një sqarim apo version të tyrin lidhur me atë që ka ndodhur.