NGA MERO BAZE

Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e disa subjekteve politike kundër ndryshimeve të muajit korrik në Kodin Zgjedhor, të miratuara me votat e PS-së dhe Berishës, në lidhje me mbylljen e listave deri në 30% të tyre.

Vendimi konsensual mes PS-së dhe Berishës u arrit pa shumë vështirësi nga socialistët, pasi i dhanë Berishës vulën dhe logon e PD-së dhe i ofruan një pazar që, në thelb, i siguron atij fitoren e përkohshme mbi opozitën.

Për të gjithë ata që nuk e kuptojnë mirë sistemin zgjedhor, mbyllja e listave që Rama ia ofroi Berishës deri në 30% të tyre, nënkupton që 30% e listës së PD-së së Berishës të jetë e sigurtë. Pjesa tjetër do të jetë në listë të hapur.

Por nga të gjitha sondazhet dhe pritshmëritë që ka për PD-në, ajo nuk e kalon dot kufirin e 30% në shumë zona të Shqipërisë. Kështu, e gjithë lista fituese e PD-së do të jetë një listë e dalë nga listat e mbyllura.

Pra, Berisha, ndryshe nga Rama, e di që ditën kur dorëzon listën në KQZ, se kë do të ketë deputet në Kuvend.

Rama dhe Partia Socialiste kanë bërë krejt të kundërtën. Ata kanë premtuar që gjithë enturazhi i vjetër i PS-së do të jetë në pjesën e hapur të listave, ndërsa te 30% e sigurta do të jenë të rinjtë që do të futen në PS. Kjo, pasi duke qenë se luan për fitore në mandatin e katërt, PS-ja ka nevojë për një rifreskim total të Parlamentit dhe për të vënë në provë popullore emrat e vjetër të saj.

Të dyja palët kanë llogaritë e tyre. Edi Rama lufton të sigurojë mandatin e katërt në pushtet, ndërsa Berisha lufton të sigurojë mandatin e katërt në opozitë, por ta ketë nën kontroll grupin parlamentar. Ky interpretim që është bërë në Kodin Zgjedhor dhe “dashamirësia” e PS-së për t’ia votuar atë, ia garanton këtë sukses.

Është kjo arsyeja që Berisha nuk pati asnjë rezistencë për të bashkuar votat me Ramën në fund të sezonit në korrik. Të gjithë u çuditën se si bëri paqe me Ramën pa i vënë asnjë kusht dhe pa i kërkuar asgjë.

Në fakt, nuk kishte çfarë t’i kërkonte më shumë se ajo që i dha Rama. I dha përjetësisht PD-në si pronë private, duke i dhënë mandatin të caktojë se kush e ka të sigurtë qenien deputet në Kuvendin e ri.

Dhe prova është sjellja e deputetëve në Kuvend, që po bëhen copë për t’i rënë në sy, sikur janë ata që e meritojnë të shërbejnë më shumë se të tjerët. Dhe ai po rri e po vështron i qetë, duke sjellë në mend se çfarë mund t’u bënte të njëjtëve deputetë sikur të mos varej mandati i tyre prej tij.