Për të dytën ditë radhazi vala e motit të keq me emrin “Bora” po godet Greqinë me reshje shiu e bore dhe stuhi të fuqishme.

Problemet më të mëdha deri tani janë regjistruar në ishujt e Rodosit dhe Limnosit në Egjeun juglindor ku banorët kanë kaluar orë dramatike. Sipas specialistëve sasia e shiut që ra brenda 16 orëve në Rodos arriti në 75% të asaj që ra në Valencia.

Rrugët e ishullit u kthyen në përrenj të vrullshëm që rrëmbyen gjithçka në rrjedhën e tyre duke rrezikuar banorët e duke shkatërruar shtëpi, biznese dhe automjete.
Qindra makina njëra mbi tjetrën apo të mbuluara nga uji, motoçikleta të groposura pranë trotuareve, rrugë të bllokuara nga balta dhe degët e pemëve, shihen në pamjet televizive nga ky ishull, ku është vendosur ndalim qarkullimi.

Edhe në ishullin Limnos situata është thuajse e njëjtë. Dy banorë kanë gjetur vdekjen nga moti i keq, ndërsa dhjetëra fermerë janë të dëshpëruar dhe nuk mund të shkojnë të shohin kafshët në stalla si dhe hambarët e të korrave pasi rrugët janë të mbyllura.

Problemet me ujësjellësin vazhdojnë të jenë serioze, ndërsa furnizimi me energji elektrike ka nisur gradualisht të rikthehet.

Një nga zonat më të goditura është dhe Halkidhikia në lindje të Selanikut. Shumë fshatra e komuna janë ende pa energji elektrike dhe disa rrugë janë përmbytur. Në Selanik nga erërat e fuqishme që arritën shpejtësinë 110 km në orë u rrëzuan qindra pemë, rrugë u përmbyten dhe u ndërpre energjia elektrike.

Probleme janë shkaktuar edhe në linjën hekurudhore Selanik-Athinë. Për shkak të borës janë të domosdoshëm zinxhirët për makinat në zonat e Maqedonisë Perëndimore në Follorinë, Kozan e Kostur. Përmbytje ka pasur edhe në zona të Thessalisë përreth qytetit të Larisës si dhe në Pieria pranë Katerinit.

Në shumë bashki në Rodos, Follorinë, Selanik etj. janë mbyllur shkollat për ditën e hënë, ndërsa meteorologët paralajmërojnë se fenomene të tejskajshme do të ketë edhe në orët në vazhdim.