Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se opozita nuk i ka të mbështetura financiarisht propozimet për amendamente në buxhet dhe nëse do të miratoheshin ato, borxhi publik do të shkonte në nivelin mbi 73.7 %, ndërsa deficiti buxhetor 20 %.
“Janë shqyrtuar amendamentet e opozitës për projektbuxhetin e opozitës. Kemi bërë një përllogaritje të përafërt, duke përfshirë edhe minimumin prej 200 mijë lekësh dhe nevojiten 4-5 miliardë euro. Ajo që kërkoni ju është në fakt një buxhet i dytë“, tha Malaj.
Sipas tij, nga 5 miliardë euro amendamente opozita, vetëm 6% mbulon me propozimet e saj.
“Kemi bërë kuantifikim të propozimeve. Keni propozuar të reduktohen shpenzimet operative me përjashtim të ndonjë shpenzimi për sigurinë, mbrojtjen apo mbrojtjen sociale, anulimin e të gjithë kontratave koncesionare apo PPP, të shkurtohen fondet për investimet jo prioritare. Në total do ishin 30 miliardë lekë ose 300 milionë euro. Nga 5 miliardë euro që ju propozoni amendamente, vetëm 6% të tyre mbuloni me propozimet tuaja. Kemi diferencë prej 470 miliardë lekësh, që ju nuk jeni në gjendje ti mbështesni apo propozoni si ti mbështesni financiarisht”, deklaroi kreu i MF-së.
Sipas tij, nëse do të miratonim propozimet e opozitës borxhi publik do të shkonte në 73.8 %.
“Nëse do të rrisnim borxhin, duke financuar “gropën” që ju propozoni, borxhi do të shkonte nga 55.8 % e PBB-së, në 73.7 % e PBB-së. Doni të na çoni nivelin e borxhit në nivelin e para 10 viteve. Propozoni të çoni deficitin buxhetor nga 2.6 % në 20 % të PBB. Me pak fjalë ajo që propozoni ju është një buxhet piramidal. Kjo kjo qeveri nuk është qeveri piramidash, por qeveria që garanton rritje të qëndrueshme ekonomike, me shumë mbrojtje sociale, më shumë investime publike dhe një qeveri që garanton më pak borxh për brezat e ardhshëm”, tha ai.