Gjatë seancës së sotme në Kuvendit të Shqipërisë, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, foli për rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shoqëror për të ndërtuar një mjedis të sigurt për fëmijët. Duke iu referuar masave të ndërmarra për sigurinë e nxënësve në shkolla, Ministrja Manastirliu theksoi:
“Ministria e Arsimit dhe Sportit është e angazhuar për fuqizimin e mëtejshëm të mekanizmave të parandalimit të dhunës në shkolla, rishikimin e protokolleve të ndërhyrjes së shpejtë të oficerëve të sigurisë, punonjësve socialë dhe psikologëve në shkolla; zgjerimin e platformave proaktive të sinjalizimit të hershëm, të çdo forme të dhunës, bullizmit përfshirë atë online dhe forcimin e shërbimeve sociale në strukturat arsimore dhe komunitet, masa, që do pasqyrohen në Planin Kombëtar të Veprimit për parandalimin e çdo forme të dhunës, bullizmit dhe rritjes së sigurisë në shkolla, puna për të cilin ka nisur.” deklaroi Manastirliu.
Ministrja u ndal dhe te masat e marra në “Paketën e sigurisë në shkolla” .
“Ministria e Brendshme dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit po bashkëpunojnë intensivisht dhe falë masave të marra në “Paketën e sigurisë në shkolla” kemi mundësuar një rikonceptim të perimetrit të sigurisë në shkolla, ku përfshihen ato hapësira fizike, ku fëmijët qëndrojnë, ndërveprojnë dhe kalojnë pjesë të kohës së tyre para apo pas mësimit, duke përfshirë edhe monitorimin e aktiviteteve tregtare që ushtrohen brenda këtij perimetri.”, tha Manastirliu.
Për të rritur sigurinë në shkolla funksionojnë disa shërbime si oficerit të sigurisë si dhe shërbimi psiko-social në institucionet arsimore të arsimit parauniversitar që vit pas viti dhe vit janë fuqizuar.
“Për të rritur sigurinë në shkolla për herë të parë nga 2018 shtuam një rol të ri në shkolla, oficerin e sigurisë. Nga 15 oficerë sigurie në fillimet e këtij shërbimi, sot kemi 240 oficerë dhe po e çojmë në 276 numrin e oficerëve të sigurisë, që ushtrojnë detyrën e tyre jo vetëm në shkolla të mesme, por edhe në shkolla 9-vjeçare. Në funksion të sigurisë dhe mirëqenies psiko-emocionale të nxënësve dhe stafeve pedagogjike, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka fuqizuar praninë dhe rolin e shërbimit psiko-social në institucionet arsimore të arsimit parauniversitar. Kemi rritur çdo vit numrin e punonjësve psiko-socialë dhe këtë vit shkollor numërohen 850 specialistë të fushës, 50 më shumë se një vit më parë. Duke u bazuar në raportin e numrit të nxënësve në arsimin publik, raporti punonjës i shërbimit psiko-social për nxënës është mesatarisht 1 me 341 nxënës, ndërkohë që ky raport ka qenë 1 me 3500, dhe sigurisht që planifikojmë të përmirësojmë edhe më shumë këtë standard por edhe paralelisht të rrisim efiçiencën në punë të këtyre strukturave.” tha Manastirliu në Kuvend duke i ballafaquar me rezultate efektin e masave që Ministria e Arsimit ka marrë për sigurinë në shkolla.
“Për vitin shkollor 2023-2024 në nivel kombëtar, në sistemin arsimor parauniversitar, janë raportuar dhe parandaluar 2030 raste të lidhura me dhunën, ku numri më i madh i rasteve ishte referuar pikërisht te punonjësit e shërbimit psiko-social, për të vijuar me raportimet e oficerëve të sigurisë, mësuesve, prindërve apo vetë nxënësit që janë bërë objekt dhune, ku për mbi 95% e rasteve janë adresuar tek familja, shërbimet sociale, policia e shtetit apo njësitë e mbrojtjes së fëmijëve. Një nga hapat më të rëndësishëm është hartimi i planit të ndërhyrjes në nivel klase, në nivel shkolle, përmes grupeve teknike ndërsektoriale në nivel lokal, kur flasim për raste të referuara te njësia e mbrojtjes së fëmijës.”, shtoi Manastirliu.
Ministrja theksoi gjithashtu rëndësinë e trajtimit të problemeve të dhunës dhe bullizmit përmes edukimit qytetar, si pjesë e kurrikulës së re.
“Problemet e bullizmit dhe të dhunës trajtohen në lëndën e Qytetarisë, ku nxënësve u transmetohen vlerat e respektit, mosdiskriminimit dhe zgjidhjes paqësore të konflikteve. Në të njëjtën kohë, përfshirja e teknologjisë dhe edukimi për sigurinë kibernetike janë shtylla kryesore të kurrikulës sonë të përditësuar”, theksoi ajo.
Duke folur për turin e takimeve me prindër në të gjithë vendin, Manastirliu tha se ka një mbështetje masive nga prindërtit për kufizimin apo mbylljen e rrjeteve sociale nën moshën 16 vjeç.
“Deri tani janë realizuar takime me këshillat e prindërve në 700 shkolla në të gjithë vendin, kryesisht në zonat urbane, ku kanë marrë pjesë 30 mijë prindër, që kanë treguar një interes shumë të lartë ndaj kësaj çështjeje, duke ndarë eksperiencat e tyre personale dhe duke dhënë propozime konkrete.
Rreth 80% e prindërve shprehin shqetësimin për ndikimet psiko-emocionale, që përdorimi i këtyre platformave ka tek fëmijët e tyre, që nga ulje të vetëvlerësimit, dhe shfaqja e simptomave të ankthit social, ulje të përqëndrimit në mësim etj.
57% të prindërve raportuan raste individuale, kur fëmijët ishin ekspozuar ndaj përmbajtjeve jo edukative apo të dhunshme të rrjeteve sociale Tik-Tok dhe Snapchat. Në këto diskutime deri tani, mbi 98% e prindërve janë shprehur për vendosje filtrash/mbyllje të rrjeteve sociale Tik-Tok, prej të cilëve rreth 60% janë shprehur për mbyllje të rrjeteve sociale nën moshën 16 vjeç.” – tha Ministra Manstirliu.