Sot u zhvillua tryeza e hapur “Dhuna me Bazë Gjinore në Hapësirën Digjitale” si pjesë e nismës globale të “16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Ogerta Manastirliu, ndau mesazhin e saj lidhur me rëndësinë e teknologjisë si një mjet për të parandaluar dhunën dhe për të fuqizuar sistemet mbrojtëse.

“Teknologjia nuk është armiku dhe në fakt, nuk do të jetë as problemi për sa kohë jetojmë në epokën e digjitalizimit dhe po ecim me hapa të shpejtë edhe në Shqipëri, si në aksesin ndaj platformave online, ashtu edhe në ofrimin e shërbimeve digjitale. Sigurisht, jemi të kërcënuar nga rreziqet që teknologjia sjell, por ne duhet ta shfrytëzojmë atë si një aleat për të fuqizuar mekanizmat e parandalimit të dhunës,” u shpreh ministrja.

Ministrja Manastirliu u ndal dhe ne punën e vazhdueshme që po bëhet për të integruar edukimin qytetar, digjital, mediatik dhe ligjor në sistemin arsimor.

“Dua të ndalem tek puna që Ministria e Arsimit dhe Sportit ka bërë për adresimin e këtyre aspekteve në kurrikulën e re, të cilën tashmë e kemi finalizuar. Kultura digjitale duhet të fillojë të ndërtohet që në vitet e para të edukimit. Ne kemi përfshirë edukimin digjital që në klasën e parë, duke nisur një qasje moderne në arsimin tonë.”

Në tryezë u diskutua gjithashtu rëndësia e rolit të mësuesve, psikologëve, punonjësve socialë dhe oficerëve të sigurisë në shkolla.
“Trajnimi i vazhdueshëm i këtyre profesionistëve është thelbësor për të adresuar çështjet e ndërgjegjësimit dhe për të fuqizuar mekanizmat e parandalimit. Kemi sot instrumenta të rinj brenda shkollës, si mësues koordinatorë, shërbime sociale dhe shëndetësore, të cilat na japin siguri për fëmijët tanë. Janë evidentuar 2,030 raste të parandaluara për vitet 2023-2024 si raste dhune, ku 95% e tyre janë raportuar tek prindërit, punonjësi social, psikologu, oficeri i sigurisë në shkollë, policia e shtetit apo strukturat e tjera të mbrojtjes së fëmijëve.”, tha Ministrja Manastirliu.

Ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve, shkollave dhe prindërve për të garantuar një hapësirë digjitale të sigurt për të rinjtë dhe për të ndërtuar një kulturë të fortë të ndërgjegjësimit dhe sigurisë duke u ndalur te turi i konsultimeve që MAS ka nisur me komunitetet e prindërve në të gjithë Shqipërinë.

“Ne kemi nisur një dialog të hapur me prindërit në të gjitha shkollat e vendit. Deri tani janë organizuar 170 konsultime, ku kanë marrë pjesë mbi 5 mijë prindër. Shumica e tyre janë dakord për mbylljen e platformës TikTok, e cila në shumicën e rasteve promovon sjellje të pahijshme dhe modele të këqija që nxisin dhunën,” përfundoi ajo.