Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka njoftuar se deri të enjten do të disbursohen 30 milionë euro për 5,320 dosje të ish-pronarëve, duke i mundësuar atyre kompensim në vlerë dhe sipërfaqe prone. Ky proces do të finalizohet në kuadër të kompensimit të ish-pronarëve, i cili ka nisur këtë javë, me përfitues të 15 mijë individëve që janë përllogaritur nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.
Manja theksoi se kompensimi do të bëhet sipas masës së përllogaritur, duke përfshirë edhe komunitetet fetare ndër ata që kanë aplikuar për kompensim. Pjesa më e madhe e dosjeve që përfitojnë këtë masë janë të përzgjedhura nga viti 2010 deri në vitin 2024, dhe përfshijnë ata që kanë patur pasuri të zëna nga ndërtimet publike ose ndërtimet informale.
“Sot, starton ky proces i cili do të finalizohet deri të enjten dhe secili nga 15 mijë individët do të ketë masën e kompensimit në vlerë sipas asaj që është përllogaritur nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Në këto 5200 dosje që përfitojnë këtë masë kompensimi është ndjekur në rend kronologjik nga viti 2010-2024. Jo të gjithë subjektet ndër vite që kanë aplikuar dhe kanë marrë masën 70% përfitojnë nga ky kompensim, se një pjesë e dosjeve vërtetë kanë marrë 70%, por kanë pasur mangësi në dokumentacion, mos depozitimi në kohë i dëshmive të trashëgimisë.
Pjesa tjetër me rifreskimin e dokumentacionit, dhe ata do të jenë përfitues të kësaj mase kompensimi. Pasqyrë të shkurtër të punës dhe veprimtarisë. Ish-pronarë që kompensohen në vlerë dhe sipërfaqe prone, për shkak se prona është zënë nga ndërtime publike dhe ish pronarë që prona e tyre është zënë për shkak të ndërtimeve informale”, tha Manja.
Njoftim për shpërndarjen e fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale.
Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton se, më datë 30 . 12. 2024, ka përfunduar procesin e shqyrtimit për 5320 (pesë mijë e treqind e njëzet) kërkesa, të cilat përfitojnë këstin e fundit të kompensimit në të holla në një total prej 30% të vlerës totale të miratuar me VKM-të përkatëse.