Anëtarët e Partisë së Lirisë kanë kërcyer e vallëzuar nën ritmet e këngëve popullore shqiptare, duke shijuar festën e fundvitit.

Ndërsa kreu i partisë, Ilir Meta, ndodhet në burg që prej 21 tetorit, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale “korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim dhe fshehje pasurie”, deputetetët e PL-së duket se e kanë shijuar në maksimum festën.

Në pamjet e publikuara nga zv. kryetarja e partisë, Erisa Xhixho, nuk duket Monika Kryemadhi, e cila nuk dihet nëse ka qenë apo jo pjesë e festës.

Edhe deputetja është nën hetim dhe GJKKO vendosi masën detyrim për t’u paraqitur.

SPAK deklaroi më parë se Meta dhe bashkëshortja e tij “në bashkëpunim mes tyre, por edhe me funksionarë të tjerë publikë, janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale”.

Hetimet ndaj Metës nisën në vitin 2019 në lidhje me aferën e njohur si ÇEZ-DIA, që lidhet me privatizimin e ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë dhe mbledhjen e borxheve të mbetura.

Tre vjet më vonë është hapur një tjetër rast, pas një kallëzimi për pagesa në vlerë të mijëra eurove të padeklaruara nga partia e drejtuar nga Meta, për lobim në Shtetet e Bashkuara.