Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe ai i Mbrojtjes, Pirro Vengu së bashku me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian Kaja Kallas nënshkruan sot në Bruksel marrëveshjen e Partneritetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, duke zyrtarizuar bashkëpunimin e zgjeruar në fusha të ndryshme të sigurisë dhe mbrojtjes.
Hasani theksoi në rrjetet sociale duke theksuar se partneriteti do të rrisë kapacitetet në siguri dhe mbrojtje.
“Ky partneritet strategjik do të forcojë përpjekjet tona për të luftuar kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmin dhe do të rrisë më tej aftësitë tona të sigurisë dhe mbrojtjes, duke kontribuar për një Evropë më të sigurt dhe më të qëndrueshme”, u shpreh Hasani.
Nënshkrimi i dokumentit nga ministrat Hasani dhe Vengu vjen në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor që ka nisur sot në Bruksel, ku Shqipëria përfaqësohet nga një delegacion i nivelit të lartë i drejtuar nga Kryeministri Edi Rama.
Mesazhi i fortë politik për rëndësinë, tani më shumë se kurrë, i partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një partneritet që po përparon në terma dhe veprime konkrete është objektivi kryesor i Samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Ky është samiti i parë i thirrur nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Dje u mbajt konferenca e tretë ndërqeveritare Shqipëri-BE ku vendi hapi dhe grup-kapitullin 6 të negociatave.