Në bashkinë e Mallakastrës ka nisur puna për rehabilitimin e rrugës Hekal-Klos. Një investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit i cili parashikon një ndërhyrje të plotë në të gjithë gjatësinë e rrugës, zgjerimin e saj si dhe rritjen e sigurisë rrugore përmes eliminimit të disa pikave të zeza. Gjithashtu do të ndërhyhet edhe për sistemimin e ujërave të bardha dhe ndërtimin e kanaleve anësore.
Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, kryetari i bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj si dhe përfaqësues nga FSHZH ndoqën nga afër punimet, të cilat parashikohet të përfundojnë brenda tetë muajve, duke qenë kështu gati verën e vitit të ardhshëm.
Rehabilitimi i kësaj rruge i shërben zhvillimit të mëtejshëm të bujqësisë dhe blegtorisë së zonës. Po kështu përmes saj lehtësohet aksesi drejt parkut arkeologjik të Bylisit, ku vit pas viti është rritur numri i vizitorëve. “Nuk do të jetë thjesht një rrugë e cila shtrohet, por edhe zgjerohet. Zgjerohet nga 3.5 në 4.5 metra dhe nga ana tjetër kemi eliminimin e kthesave që është pjesë shumë e rëndësishme. Pastaj edhe pastrimin e kanaleve”, u shpreh Balluku. Në zonë tashmë ka nisur edhe hapja e njësive të para të agroturizimit, ndaj përmirësimi i infrastrukturës do ta kthejë atë në një destinacion edhe më të vizituar.
“Duhet dialog i hapur dhe i vazhdueshëm me banorët për ti shpjeguar atyre sesi funksionojnë edhe paketat mbështetëse për agroturizmin, edhe sesi mund të promovojmë më tej të gjitha vlerat e kësaj zone, që nuk ka të bëjë vetëm me agroturizimin edhe me parqet arkeologjike dhe nga ana tjetër të mos harrojmë që para së gjithash infrastruktura rrugore apo infrastruktura energjetike është në funksion të banorëve”, tha Balluku.
Për kryebashkiakun Ismailaj ky investim është mirëpritur nga ana e banorëve të cilët e shohin si një lehtësim në përditshmërinë e tyre. Rruga Hekal-Klos ka një gjatësi prej afro 3 kilometrash.