Nga Auron Tare
“ Miku im, në vënd të një Kartoline për fundin e vitit po të dërgoj një lajm shumë interesant. Si një dashamirës i zjarrtë i natyrës që je, po të bëj me dije se këtu në Arkivën e Kopështit Botanik Mbretëror në Kew, kam gjetur një bimë me të cilën jam i sigurtë se mund të krenohesh. Eshtë lulja “Cardamine tepelenensis”.
Një bimë endemike me prejardhje nga Tepelena për të cilën ti ma ke përmendur si vendlindja e Ali Pashës me bëmat e të cilit krenoheni shpesh. Jam i sigurtë se kjo Bimë që lajmëron ardhjen e pranverës do të gjejë vëmendjen e duhur në mbrojtjen e saj dhe do të jetë një dhuratë për natyrën e vendit Tuaj.
Një Vit të Mbarë në ruajtjen e natyrës Shqiptare
Sir Patrick F, OBE
I habitur me këtë mesazh të mikut tim të vjetër fillova të kërkoj më shumë mbi Lulen enigmatike nga Tepelena.
Kisha lexuar me parë mbi kërkimet botanike të botanistit Italian Antonio Baldaci i cili kishte eksploruar Jugun Shqiptar duke u ngjitur deri në lartësinë e Malit të Këndrevicës. Baldaci ishte i pari studiues i cili kishte identifikuar një tjetër bime endemike “Karafilin e Egër të Tepelenës”.
Po keshtu kisha lexuar edhe shënimet mjaft interesante të dy botanisteve britanike të cilët kishin kryer një ekspeditë në Jugun Shqiptar në mesin e viteve 30-të dhe zbulimet e tyre në botanikën shqiptare.
Por Lulen e Prillit te Quajtur “Cardamine tepelenensis” nuk e kisha hasur gjëkundi.
Në fakt kjo Lule pjesë e familjes së madhe të Cardaminve ishte identifikuar në 30 Prill të 1960, në Luginen e Luzatit ( luginë kjo që po përdoret sot si gurore) nga botanisti gjerman Meyer, nje koleksionist dhe me vonë kurator i Koleksionit Botanik te Universitetit të Jenës në Gjermani. Prof. Meyer kishte dërguar një mostër ne Arkivin Britanik I cili me sa duket e ka pjese te koleksionit te vet.
“Cardamine tepelenses” është një bimë e cila ka lule të vogël bardhë apo rozë dhe lulëzon nga Prilli deri në Shtator. Ka një sërë varietetesh por varieteti Tepelenses me sa duket është unik në llojin e vet.
Krahas Karafilit te Eger të Tepelenes nje tjeter lloj endemik I identifikuar nga Antonio Baldaci e ben kete bime nje vlere te rendesishem botanike per Jugun Shqiptar.
Nuk kishte lajm më të bukur për të mbyllur një Vit me përpjekje për të mbrojtur natyrën dhe trashegiminë shqiptare se sa lajmi mbi “Cardaminen Tepelense” Lulja e cila lajmëron ardhjen e Pranverës.