Rey Manaj mbetet një emër fiks në Turqi, me sulmuesin kuqezi që kërkohet nga disa klube. Në fakt, të gjithë prisnin që Manaj të largohej përpara këtij sezoni, pasi vinte nga një vit ku realizoi 18 gola duke qenë golashënuesi i tretë më i mirë në Turqi pas Icardi-t dhe Edin Dzekos.

Në mënyrë të papritur, Manaj vendosi të qëndronte të Sivasspor, ose më saktë drejtuesit e klubit refuzuan ofertat e shumta duke mbajtur Manaj në skuadër.

Emri i tij del edhe një herë në skenë pak përpara merkatos së dimrit pasi edhe vetë Manaj la gjithçka të hapur kur u pyet në lidhje me të ardhmen e tij: “Kam bërë gjithçka për Sivassporin. Kam luajtur në fushë në Gaziantep me temperaturë 39 gradë dhe pa fjetur natën. Kam luajtur i dëmtuar. Tani jam më shumë se një lojtar i këtij klubi. Nuk jam unë që e them këtë, por ata brenda klubit. Nuk kam rinovuar kontratën me Sivasspor, ose duhet të ndodhë, ose do të largohem. Të shohim se çfarë do të ndodhë në janar”.