Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka reaguar pas publikimit të opinionit nga Komisioni i Venecias në lidhje me procesin e trajtimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Ajo ka theksuar se qëndrimi i Kuvendit nuk ka qenë as politik, as partiak, por ka pasur karakter kushtetues dhe lidhet me sovranitetin e paprekshëm të Kuvendit.
“Besoj tani është e qartë për të gjithë se qëndrimi ynë lidhur me procesin e trajtimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka nuk ishte një qëndrim as politik, as partiak, por një qëndrim kushtetues që lidhet me sovranitetin e paprekshem të Kuvendit!” – u shpreh Spiropali.Ajo ka shtuar se Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar dhe ky vendim është lexuar nga Kuvendi si një ndërhyrje në pavarësinë e tij, duke e cilësuar si një vendim të pazbatueshëm për shkak të pamundësisë për të imponuar një rregull që detyron deputetin se si të votojë.
Spiropali ka shprehur gjithashtu lehtësim për përgjigjet që morën akuzat dhe shpifjet kundër këtij qëndrimi, duke falënderuar Komisionin e Venecias për shqyrtimin e shpejtë dhe serioz të kërkesës së saj. Ajo shtoi se ka shpresë se ky opinion do të shërbejë për reflektim nga të gjitha palët dhe institucionet në lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetes në të ardhmen.
Reagimi i plotë:
Besoj tani është e qartë për të gjithë se qëndrimi ynë lidhur me procesin e trajtimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka nuk ishte një qëndrim as politik, as partiak, por një qëndrim kushtetues që lidhet me sovranitetin e paprekshem të Kuvendit!
Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar dhe kjo nga ne është lexuar jo thjesht si ndërhyrje në pavarësinë e Kuvendit, por në radhë të parë si një vendim i pazbatueshëm për shkak të pamundësisë së një rregulli që i imponon deputetit se si të votojë!
Sot morën përgjigje edhe të gjitha akuzat, shpifjet dhe propaganda me të pavërteta kundër këtij qëndrimi, por si Kryetare Kuvendi ndjehem e lehtësuar dhe për këtë falenderoj Komisionin e Venecias që e shqyrtoi me shpejtësi dhe seriozitet maksimal kërkesën time. Kam bindjen se ky opinion i drejtë do t’u shërbejë të gjitha palëve dhe institucioneve për reflektim në zgjidhjen drejt të çështjeve në lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetit në të ardhmen.