Nga Blendi Kajsiu
Heqja e masës “arrest shtëpie” ndaj Sali Berishës nga Gjykata për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) krijoi pështjellim në sferën tonë publike. Reagimet e shumta ndaj vendimit, herë me hare dhe herë me trishtim, kishin një emërues të përbashkët; hutimin.
Ky hutim vihej re së pari në kampin berishist ku Berishën e pritën me hare, sikur të ishte shpallur i pafajshëm. Pyetja që trazonte festën berishiste ishte, “si ka mundësi që drejtësia e Ramës e la të lirë Berishën pikërisht para zgjedhjeve parlamentare? A nuk u bë refroma në drejtësi thjesht për të hequr qafe opozitën, d.m.th. doktorin?”
Përgjigjen e parë përballë hutimit berishist e dhanë komisarët mediatik të berishizmit që i paralajmëruan militantët të mos e tepronin me festimet sepse me siguri Berishën e liruan për ta goditur edhe më fort, ndoshta edhe brenda familjes. Sipas kësaj llogjike SPAK-u i Ramës liroi Berishën për të dënuar Jamarbërin, Argitën, Lirinë ose Shkëlzenin.
E megjithatë ky sqarim lehtësues për fabulën berishiste, se SPAK u ngrit thjesht për ti rënë doktorit, nuk shpjegonte përse duhej liruar Berisha për të arrestuar familjarët e tij. Nëse SPAK dhe GJKKO janë vegla qorre të Ramës, siç janë të bindur berishistët, ata pa pikë turpi mund ta fusin në burg të gjithë familjen Berisha.
Pa përmendur faktin që llogjika elektorale e lirimit të Berishës për të futur në burg Zenin mbetet më misterioze se triniteti i shenjtë. E thënë ndryshe, pyetja se çfarë fiton elektoralisht dhe politikisht Rama nga lirimi Berishës dhe burgosja e Zenit, mbetet pa përgjigje.
Natyrisht u hodhën edhe shpjegime të tipit “Berishën e liroi presidenti Trump”, nga njerëz pranë Berishës por shumë larg llogjikës. Ndaj nuk ia vlen barra qiranë të ekspozojmë absurditetin e tyre. Majfton të sqarojmë lexuesin se Trump ende nuk është president i SHBA-ve.
Si përfundim, llogjika e mpakur politike e berishizmit nuk arriti ta shpjegonte lirimin e Berishës nga GJKKO e Ramës. Ndoshta për këtë arësye berishistët u përqendruan tek festimi i vendimit si një fitore e madhe politike, por që politikisht nuk shpjegohet dot.