Nga Alba Malltezi/

A mund të jesh aq mirënjohëse dhe të kesh atë buzëqeshje me aq dritë sa Parashqevi Simaku, – që ne të gjithë mendojmë se është, – shfaq në intervistën e rastësishme të televizionit amerikan ABC7, nga rrugët e Nju Jorkut? Si mundet që një nënë, një këngëtare, një VIP, të përcjellë gjithë atë gëzim në ato pak sekonda, para asaj qese me rroba të ngrohta dhe ajo lumturi e mirënjohje të trazojë një Shqipëri të tërë? Thuhet pastaj se në 7 sekonda truri njerëzor mund të kapë mesazhin më të rëndësishëm, pastaj lodhet, shpërqëndrohet, merret me të tjera gjëra. Cili është mesazhi që ato pak sekonda me Parashqevi Simakun na dhanë?

Familjarët kanë nisur të tregojnë traumat dhe fatkeqësitë e këngëtares sonë të dashur dhe me të drejtë, gazetarë, një popull i tërë do të donte ta ndihmonte dhe kjo është bukuria që ende na ka mbetur si njerëz. I ofrohet gjithë ajo zemergjerësi një gruaje, një këngëtareje që as nuk e kërkoi. Është e qartë që nuk ua ka kërkuar as të afërmëve të saj, as miqve të cilët i ka larguar. Dikush thotë se largohet me nxitim edhe nëse dëgjon të flitet shqip.

Çfarë ka pësuar këngëtarja e mirënjohur që e bën të reagojë kështu ndaj njerëzve përreth që e njohin e të shfaqet aq e qetë, e çiltër e mirënjohëse përpara një qeseje me disa rroba të ngrohta dhe të thotë: Jemi me shumë fat!

Kush është me më shumë fat: Parashqevia në intimitetin dhe në jetën e re të saj, apo kush këmbëngul ta shpëtojë? Shumë shqiptarë trokasin në dyert e mediave për të kërkuar ndihmë në dëshpërime dhe halle të ndryshme të jetëve të tyre dhe media, me të drejtë apelon dhe shumë herë ndihmon. Këtë herë jo. Duhen parë dy video me kujdes: Ajo e Parashqevisë dhe ajo e gazetarit që ngulmon të bëjë shpëtimtarin duke numëruar mijëra klikime që ka përfituar në Instagram. Çfarë na përcjell njëra video e çfarë ndjenjash na përcjell video tjetër e kërkimit dhe shpëtimit të saj? A përçon njëra ankth, protagonizëm, mungesë empatie pavarësisht asaj që thuhet dhe cila, rrjedhën natyrale të një jete që pranohet ashtu siç ajo vjen, ashtu siç ne e shkruajmë me veprimet që bëjmë dhe që nuk bëjmë. Në fund të fundit pyetja është: Duhet ta ndihmojmë ne Parashqevinë, apo ajo, me këtë video, kërkon pa dashur të na ndihmojë ne? Sa me fat jemi ne dhe sa me fat është ajo?