Nga Denis Dyrnjaja

Në Tiranë, ka plas një hare e madhe pas një fotoje të Kryeministrit Rama që po bën xhiron nëpër portale e rrjetet sociale. Foto që është një sekuencë e shkëputur nga prezenca e kreut të qeverisë dhe bashkëshortes së tij, në ceremoninë e inaugurimit të katedrales Notre Dome në Paris, shfaq çiftin kryeministror shqiptar në sfond të ulur në tryezën e mbrëmjes, ndërsa në fokus të saj është takimi rastësor i Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani me miliarderin amerikan Elion Musk.

Ngazëllimi i pashoq ka shpërthyer në radhët e popullit opozitar demokrat, aq sa mund të thuhet se kjo është fitorja e dytë brenda pak ditësh që ka shtuar goxha entuziasmin në radhët e opozitës. E para lidhet me lirimin nga masa e izolimit që Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për Sali Berishën, i cili i krijoi vetes rreth një vit izolim të panevojshëm, vetëm për të treguar se sfidon SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme dhe “fitorja” e dytë brenda pak ditësh është kjo foto ku Rama, pra kreu i regjimit, sikurse cilësohet nga kundërshtarët e tij politikë, shfaqet në kontekstin e fotos në Paris, si një udhëheqës i padëshiruar dhe i braktisur.

Mes komenteve të shumta populli opozitar përdori masivisht shprehjen fugurative që vetë Rama e futi në qarkullim për çështjen e projektit të reformës në drejtësi, kur tentoi të sqarojë se ajo është produkt mirëfilli shqiptar dhe për ta shqipëruar në kontekst popullor tha se amerikanët kishin sjellë Noc Rrokun. Pra nuk ishte për të sfiduar ata, por ishte një lloj revolte për të theksuar se merita politike i takon tërësisht PS, që inicioi këtë reformë, ndërsa ndërkombëtarët thjeshtë e mbështetën.

Ndaj shprehja për Noc Rokun nuk u adresohej amerikanëve siç u interpretua herë nga pakuptimi e herë nga qëllimi për ta keqpërdorur kontekstin e saj. Por gjithsesi kundërshtarët e kryeministrit, në të drejtën e tyre gjetën një rast tjetër për ta përdorur këtë figurë krahasimore për rastin e prezencës së Ramës në darkën e Parisit. Deri këtu boll mirë… kishin me thënë shkodranët.

Palët po luajnë me Noc Rrokun që e futi vetë Rama në lojë. Dhe rezultati duket sikur favorizon opozitën për momentin, referuar këtyre dy pasazheve me lart, pra lirimit të Berishës nga paraburgimi shtëpiak dhe izolimi ndërkombëtar i Ramës duke qenë mes një ceremonie me udhëheqës botërorë. Tani nëse e shohim pak më larg situatën, pikëpyetja e madhe është kush do kapi Noc Rrokun në zgjedhje, se këto fitoret që prodhojnë ngazëllim momental shkrihen si kripa në ujë.

A mjafton ky ngazëllim për të përmbysur regjimin, pra Ramën?! Koha ka provuar se ata që para kohe janë gëzuar në fund kanë dalë me Noc Rokun në duar. Mirë është të punojnë para se të gëzojnë, se më 11 maj shqiptarët do ndajnë përsëri kujt do t’i japin pushtetin e kujt Noc Rrokun. Kur mësohesh me e mbajt qëllon që edhe të vjen dhe gjasat nuk janë të mira, ndaj kujdes se po vijnë kohë të vështira. Noc Rroku po ju pret. Presim e të shohim më 11 maj kush e ka kismet!