Nga Namir Lapardhaja/

Prej kohësh, Parlamenti i Shqipërisë është shndërruar në një sallë teatrale ku nuk performojnë idetë, por marrëzitë, ku nuk diskutohen propozime, por thashethemnaja dhe aludime, ku nuk mbrohet interesi i qytetarit, por i kryetarit, ku të gjithë zihen dhe çirren me sytë në po i ndjek shefi dhe jo në po i dëgjojnë njerëzit.

Parlamenti, atje ku do duhej ‘me folë’, është kthyer nga një sallë ligjvënësish në një s(t)allë ulëritësish dhe fyesish të pamoralshëm, duke i ngjarë një spitali psikiatrik ku shëndeti mendor i pacientëve ndryshon nga momenti në moment, nga ekstremi në ekstrem, nga e qeshura tek e qara, nga normalja tek anormalja, nga e natyrshmja tek e panatyrshmja, nga e puthura dhe e përqafuara te konfrontimi dhe përplasja e pakuptimtë.

Palët, ato që do duhet të ishin aty për interesin publik dhe të qytetarëve, në fakt, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se tallen dhe i poshtërojnë votuesit në mënyra të ndryshme.

Për shembull, kjo që quhet sot mazhorancë, që ka pushtetin dhe shumicën e votave, pasi kanë shkaktuar trauma të jashtëzakonshme, që u kanë kushtuar edhe jetën njerëzve të pamundur për t’i paguar, burgime dhe vuajtje të tjerëve, me një të rënë të lapsit, kujtohet sot, 6 muaj përpara zgjedhjeve për t’i falur të gjitha gjobat e ndërtimeve pa leje, duke mos bërë një bilanc të asaj që ka ndodhur në 11 vite si pasojë e kësaj gjëje.

Nga ana tjetër, kjo që në këtë Parlament quhet opozitë dhe është njohur nga pushteti si e tillë, pasi ka humbur besueshmërinë në gjithçka që thotë dhe artikulon si pasojë e pështymës së shumtë që kanë lëshuar në drejtim të njëri-tjetrit dhe pastaj ‘detyrimit’ për ta lëpirë me llapë gjithçka që goja ka llapur, apo për të thënë të nesërmen se ato që u thanë dje s’kanë kurrfarë vlere, sepse janë deklarata politike dhe jo të vërteta, jo vetëm është e pabesueshme në gjithçka që artikulon, por është edhe e pamoralshme dhe e pandershme ku merr kauza që nuk i përkasin dhe luan me ndjenjat dhe fatkeqësitë e familjeve të varfëra shqiptare.

Kjo është situata ku ka ardhur Parlamenti i Shqipërisë, pjesëtarët e të cilit nuk kanë lënë vend pa treguar se sa pa dinjitet dhe se sa të painteresuar për hallet dhe problematikat reale të qytetarëve janë, ndërkohë që e gjithë përpjkeja e tyre është vetëm në funksion të zënies së një vendi në listën e ardhshme. Është kaq pak dhe kaq pa interes në sytë e njerëzve, por kaq shumë dhe kaq e rëndësishme për ata vetë.