Tiranë, 20 dhjetor – Në këtë prag festash ka nisur shpërndarja e librave artistikë, me qëllim pasurimin e bibliotekave shkollore, një program i iniciuar dhe i mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, nga shkolla “Ardian Klosi” në Tiranë, tha se ky program ka për qëllim promovimin e leximit dhe kultivimin e dashurisë për librin tek nxënësit.
“Nisim nga shkolla “Ardian Klosi” një program disa-vjeçar për pasurimin e bibliotekave shkollore në shkollat tona në të gjithë vendin. Janë më shumë se 20 mijë librat që po ndahen në bibliotekat shkollore për të pasuruar, por mbi të gjitha për të nxitur pasionin për leximin dhe për të dhënë ato mesazhe që ne duam të transmetojmë, sidomos në këtë kohë ku kemi një përpjekje të madhe për të nxitur fëmijët dhe nxënësit drejt leximit. Përpos gjithë asaj që na ofron teknologjia, ne jemi këtu për të bërë më të mirën për sa i përket rritjes së dijes, por gjithashtu dhe hapjes së mendjes përmes leximit,” tha Manastirliu.
Siç pohoi Ministrja Manastirliu, ky program përfshin mbi 20 mijë libra, të përzgjedhur nga një listë prej 764 titujsh të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Lista është hartuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS) në bashkëpunim me mësues, specialistë të fushës dhe shtëpitë botuese. Ndër autorët përfaqësues janë Eskili, Shekspiri, Balzaku, Hygo, Tolstoi, Orwell, Dikens, Pasternaku, Kundera, Barleti, Konica, Fishta, Mjeda, Çajupi, Migjeni, Serembe, Kadare, Kongoli, Arapi, etj.
“Ne jemi në prag festash dhe dhurata më e bukur sesa libri nuk ka. Ndaj, kemi vendosur që këtë program, që ne iniciojmë çdo vit, ta finalizojmë në prag të festave, ku vetë pasurojmë bibliotekat shkollore, por u japim mundësi nxënësve që gjatë pushimeve të dimrit të marrin nga biblioteka libra për të lexuar gjatë pushimeve dhe më pas të diskutojnë ato çështje që kanë lexuar në klasë,” tha Manastirliu.
Për herë të parë, shkollat kanë përdorur platformën SMIP për përzgjedhjen e titujve të librave, duke garantuar një proces të hapur dhe efikas, bazuar në nevojat dhe mungesat e bibliotekave të tyre.
“Kemi arritur që të kemi një proces shumë të rëndësishëm të përzgjedhjes së titujve të librave, pasi për herë të parë ky proces bëhet përmes sistemit SMIP, ku të gjitha shkollat që marrin pjesë në procesin e përzgjedhjes së librave e bëjnë elektronikisht. Kjo e bën të mundur jo vetëm pasurimin me tituj të ndryshëm të bibliotekës së shkollës, por nga ana tjetër mundëson gjithashtu një listë të plotë të fondit të librave që kemi në bibliotekat e shkollës, ku përveç librave që mbështesin programin arsimor ka dhe shumë libra të tjerë artistikë që pasurojnë bibliotekën dhe nxisin tek nxënësit pasionin për leximin dhe librin që duhet të stimulohet nga shkolla por edhe nga familja,” deklaroi Manastirliu.
Home Lajme Aktualitet Pasurimi i bibliotekave shkollore, Manastirliu: Mbi 20 mijë libra për nxënësit në...