Kënga e Parashqevi Simakut “E duam lumturinë” është shndërruar në një himn të gëzimit dhe shpresës, duke përcjellë mesazhin e dashurisë për jetën.

Me vargjet e poetit Agim Doçi dhe melodinë e Pirro Çakos, mori jetë kënga që rrëmbeu shpirtin e çdo dëgjuesi, që dhe sot pas 36 vitesh e shijon si ditën e parë.

Ishte viti 1988 kur Çako, ende në hapat e parë të karrierës, guxoi të kërkonte bashkëpunim me artisten më të dashur të momentit.

Pirro Çako: Pata një lajthitje… sepse unë isha askush në atë periudhë dhe pretendova që një këngë që kisha kompozuar t’ia jepja këngëtares më në zë. Kisha besim se ajo ishte një këngë e bukur, por duhej të shkonte në vendin e duhur. Gjërat u bashkuan, unë një anonim dhe Parashqevi Simaku në atë periudhë diva e muzikës shqiptare dhe ky konfigurim dhuroi këtë këngë që për mua është kënga më e famshme, më e kënduara në të gjitha trevat shqiptare.