Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka folur për procesin ndaj vrasësve me pagesë, ku po rrëfehet Nuredin Dumani.
“Seanca e fundit ka qenë një seancë shumë e tensionuar e Nuredin Dumanit. Përgjithësisht seancat ku ka të penduar të drejtësisë, patjetër që ngjallin shumë debate dhe tension. Nuredin Dumani ka rrëfyer për ngjarje shumë të rënda të ndodhura në Durrës, Elbasan dhe në Tiranë. Ka folur për shumë vrasje të ndodhura në qytetin e Elbasanit, ku janë të përfshirë dy nga grupimet më të rrezikshme kriminale. Nga njëra anë, Erion Alibej dhe nga ana tjetër vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, të cilët janë pjesë e një organizate kriminale që është goditur po këtë vit nga Prokuroria e Posaçme.
Çfarë po ndodh në gjykatë? Çdo dëshmi që Nuredin Dumani e ka dhënë përpara prokurorëve, që nis që te grabitja e kambistëve, vrasjet kundrejt pagesës, vrasja e Fatmira Dedës, që u vra vetëm se kërkonte drejtësi për djalin e vrarë, i cili dyshohet se ishte në përplasje me familjen Coli për shkak të bizneseve të përbashkëta që kishin patur. Për të mos u ekspozuar nga drejtësia, për shkak të kërkesave të vazhdueshme që bënte nëna, urdhëruan vrasjen e saj dhe u vra nga grupi i Nuredin Dumanit.