Nëse ka një tipar që na dallon e nuk po na shqitet prej se jemi zënë si komb, ky është egoizmi, uni mediokër dhe mburrja e dukja, mungesa e bashkëpunimit dhe krenaria idiote e mbushur me vetëvlerësim banal. Pashë para pak ditësh një takim me rektorë të universiteteve private e publike, me pjesëmarrje ministrash dhe me praninë edhe të Edi Ramës aty, ku rektori i një universiteti privat, z. Ethem Ruka, shpalli një nismë apo një platformë, apo një lëvizje se ishte e vështirë ta kuptoje se çfarë ishte ajo, në të cilën forumet e larta të këtyre Institucioneve të Arsimit të Lartë në Shqipëri, zotoheshin se do të sillnin studentë të huaj që të studionin në universitetet shqiptare dhe këtë do ta bënin më aksion.

M’u kujtua një skeç i estradës së Tiranës, ku një ekip amator detyrohej nga sekretari i partisë së ndërmarrjes që në ndeshjen e ardhshme me ekipin e ndërmarrjes tjetër të shënonin sa më shumë gola. Madje edhe portieri u angazhua që të bënte katër gola. Ajo skenë sureale aty paraqet gjithë pamjen e trishtë të frymës së kombit shqiptar. Përse ? E dhëna e parë katastrofike është se universitetet shqiptare publike e jo publike janë jashtë çdo rankimi në të të gjitha llojet e vlerësimeve që bëhen në botë. Me përjashtim të Universitetit « Epoka » apo UB-ja, që kanë një vlerësim modest në këto rankime, të tjerët janë inekzistentë. Shqipëria ka mbi tridhjetë vjet që jo vetëm nuk e ka shëndoshur arsimin publik, por nuk ka ndërmarrë asnjë reformë substanciale që ta përmirësojë atë. Universitetet jo publike, me pak përjashtime, janë edhe ata shëmbëlltyra e universiteteve publike.