Nga Kevin Dikinson

Pak libra të tjerë mund të pretendojnë të kenë një ndikim aq të madh në historinë e luftës sa “Arti i Luftës” i Sun Tzu. I shkruar në Kinë rreth 2500 vjet më parë, ky traktat ushtarak themeloi një ideologji të luftës që do të bënte jehonë deri në Revolucionin Komunist të MaoCe Dunit.

Duke u përhapur në të gjithë Azinë Lindore, ai udhëhoqi shtresën e luftëtarëve të Japonisë gjatë epokës së saj të dominuar nga lufta dhe diktoi taktikat e ushtarëve vietkongë në Vietnam. Sot libri “Arti i Luftës” studiohet në akademitë ushtarake në mbarë botën. Kjo vepër mbetet ende e rëndësishme, pasi autori i tij e njohu konfliktin si një pjesë universale të jetës.

Ai nuk u mjaftua vetëm me rishikimin e taktikave të betejave të kohës së tij. Ai u përpoq të eksploronte psikologjinë e luftës dhe se si ne mund ta shfrytëzonim atë me mençuri. Trajneri brazilian Luiz Felipe Scolari e ka përmendur shpeshherë këtë libër si frymëzim për taktikat që përdori për të fituar Kupën e Botës 2002.

Këshillat e tij janë zbatuar në fusha shumë të gjera duke nisur nga politika, menaxhimi i biznesit dhe madje edhe sportet. Ja cilat janë 5 citate të Sun Tzu që mund t’ju ndihmojnë të kapërceni strategjikisht konfliktin kudo që mund ta hasni.

1. Ata që fitojnë çdo betejë nuk janë vërtet të aftë. Ata që i bëjnë ushtritë e të tjerëve të pafuqishme pa luftuar janë më të mirët nga të gjithë.

Për të, fitorja më e madhe nuk është mposhtja e kundërshtarit përmes forcës, zgjuarsisë apo forcës së vullnetit. Ajo ka të bëjë me shmangien e plotë të betejës. Një person i mençur, thotë Sun Tzu, ka aftësinë dhe mençurinë për të zgjidhur një konflikt përpara se të fillojë. Për shembull, një diplomat i mençur mund të bëjë që dy kombe të zgjidhin një mosmarrëveshje për tokën përpara përshkallëzimit të dhunshëm. Në mënyrë të ngjashme, një mik i mençur di të përdorë humorin për të lehtësuar tensionet përpara se të shpërthejë një debat. Në të dyja rastet, fitorja gjendet në mungesën e konfliktit.

2. Nëse i njihni të tjerët dhe veten, nuk do të jeni të rrezikuar as në 100 beteja. Por nëse nuk i njeh të tjerët, por njeh veten, do të fitosh një betejë dhe do të humbësh një tjetër. Nëse nuk i njeh të tjerët dhe nuk e njeh as veten, do të jesh i rrezikuar të humbësh në çdo betejë.

Sipas tij, njerëzit emocionalisht inteligjentë kanë vetëdijen për të kuptuar motivet e tyre, për të njohur synimet e tyre dhe për të rregulluar emocionet. Duke e njohur veten, ata nuk fillojnë konflikte të panevojshme, dhe as nuk lejojnë që emocionet negative të çojnë në shpërthime ose veprime të pamenduara.

Në mënyrë të ngjashme, ata mund të përdorin inteligjencën e tyre emocionale për të zhvilluar vetëdijen sociale. Një aftësi e tillë i ndihmon ata të kuptojnë motivimet dhe emocionet e të tjerëve përmes dhembshurisë dhe simpatisë. Kjo njohuri mund të ndihmojë në parandalimin e konflikteve pasi personi emocionalisht inteligjent do të krijojë kushte që i bëjnë të tjerët të mos dëshirojnë një grindje me të.

Gjithsesi edhe nëse lind një konflikt, inteligjenca emocionale mund të ndihmojë në krijimin e situatave që i japin fund nevojës për grindje tek personi tjetër. Tek libri i tij, Sun Tzu rendit pesë tipare të rrezikshme që mjegullojnë gjykimin e gjeneralëve dhe i çojnë ata në konflikte të panevojshme. Këto janë zemërimi, lakmia, krenaria, pamaturia dhe të qenit më shumë sesa duhet mbrojtës ndaj të tjerëve. Këto tipare, thotë ai, sjellin fatkeqësi. Sot mund të themi se ato e pengojnë inteligjencën emocionale dhe prishin qetësinë tonë.

3. Pamposhtshmëria qëndron tek vetja jonë, cënueshmëria është tek kundërshtari.

Kjo këshillë pasqyron pikëpamjen stoike të kontrollit. Ju nuk mund të kontrolloni se si sillet dikush tjetër; por mundeni të dalloni sjelljen e tyre. Megjithatë, ju keni kontroll mbi veprimet tuaja, gjë që do të thotë se mund të përgatiteni për konflikt dhe të forconi mbrojtjen tuaj përpara veprimit.

Në luftë, përgatitje të tilla mund të përfshijnë mbajtjen e moralit lart, të kuptuarit e vlerës së një terreni të caktuar dhe mbajtjen e një zinxhiri të fortë komandimi. Në strategjinë e biznesit, mund të nënkuptojë forcimin e partneriteteve, gatishmërisë për t’u distancuar nga një vendim i keq, apo punësimin dhe zhvillimin e talenteve më të mira. Në nivelin personal, mund të përfshijë zhvillimin e besimit, zotërimit të vetvetes dhe vetë-efikasitetit për të mbrojtur veten dhe besimet tona.

4. Përdor rendin për t’u përballur me kaosin, përdor qetësinë për t’u përballur me zhurmën

Çrregullimi dhe zhurma e mjegullojnë vetëdijen tonë mbi situatën, i ngacmojnë emocionet tona negative dhe na shtyjnë të marrim vendime të këqija thjesht për të kënaqur nevojën për të bërë diçka. Pra çdo gjë, mjafton të ketë një ndryshim. Por kjo e bën më të mundshëm konfliktin dhe kur ndodh, është më problematik për t’u menaxhuar.

Mjerisht që të dyja janë të zakonshme në jetën moderne. Ndërsa ne mund të mos kemi shumë ndikim mbi kaosin dhe çrregullimin në botën e jashtme, ne mund ta zgjidhim zhurmën nga brenda. Pasi konflikti bëhet i pashmangshëm, ne nuk duhet ta lëmë atë të na shqetësojë apo ta shohim si një mjet për të ndëshkuar një person tjetër për përfitimin tonë.

Në vend të kësaj, ne duhet të vendosim ta zgjidhim atë, të minimizojmë dëmet dhe të ruajmë qetësinë përballë sfidave të tij. Kjo kërkon jo vetëm shmangien e 5 tipareve që përmend SunTzu – zemërimin, lakminë, krenarinë, pamaturinë dhe mbrojtjen e tepruar – por edhe të mësojmë t’i përshtatim përgjigjet tona ndërsa zhvillohet konflikti.

5. Konsideratat e një njeriu inteligjent përfshijnë gjithmonë përfitimin dhe dëmin. Ndërsa ata mendojnë përfitimin, puna e tyre mund të zgjerohet. Kur mendojnë dëmin, mund të zgjidhen problemet e tyre.

Në prag të një konfliktit, dëshira për përfitime mund të na nxitë të veprojmë në mënyrë agresive. Këto mund të jenë përfitime materiale, ndëshkimi emocional i të tjerëve apo rritje e fuqisë sonë shoqërore. Sido që të jetë, ndjekja e një përfitimi të perceptuar mund të na bëjë të harrojmë dëmin e mundshëm që mund të sjellë agresioni.

Në të njëjtën mënyrë, ne mund të largohemi nga konfliktet e nevojshme nëse mendojmë vetëm për dëmet e mundshme. Në vend të kësaj, Sun Tzu rekomandon që t’i marrim parasysh të dyja veçmas. Duke i njohur përfitimet dhe duke planifikuar për to, ne i bëjmë ato më të mundshme. Anasjelltas, duke paramenduar se çfarë mund të shkojë keq dhe dëmet që mund të lindin edhe nëse kemi sukses, ne mund të ndërmarrim hapa për t’u mbrojtur kundër tyre. /“Big Think” – Bota.al