Tradita e Top Channel vazhdon dhe këtë vit me një surprizë të madhe për të gjithë shqiptarët. Këngëtarja e madhe shqiptare, Parashqevi Simaku i rikthehet muzikës disa dekada më pas pikërisht në ekranin më të madh shqiptar, Top Channel. “E duam lumturinë” kjo është kënga e përzgjedhur për 2024 nga Top Media.
Kënga nis me këngëtaren Parashqevi Simaku dhe më pas vijon me personazhet më të dashur të ekranit, që i shikojmë çdo ditë përmes projekteve. Në studion e “Wake Up” kanë qenë të ftuar mëngjesin e sotëm, kompozitori i këngës, Pirro Çako dhe producenti Alban Male, për të zbuluar më shumë ndjesitë e tyre pas rikthimit të kësaj kënge.
Si e kujton Pirro Çako periudhën e krijimit të këngës?
Kur ia kam treguar këngën Parashqevisë, kam qenë vetëm. Kënga kishte shumë pak fjalë. Sa isha afruar me Agim Doçin, ai besoi te unë, nuk më njihte njeri atëherë. Hodhëm një ide që të vinte Parashqevia të këndonte një këngë. Ja kam treguar si ide, por pa këtë të fëmijëve. Pastaj zgjodhëm fëmijët te shkolla. Por ne nuk kishim fjalët. Dhe Agimi aty i ka shkruar fjalët, brenda në sallë. Pastaj shkoi me biçikletë mori Parashqevinë dhe e solli. Kur ja treguam dhe me fëmijët, aty u gëzua. U bind akoma edhe më shumë kur ndodhi kjo.
Ti së fundmi ke komunikuar dhe me Parashqevinë. Si ishte biseda jote me të pas shumë vitesh?
Ka shumë sinqeritet aty, nuk e dija që po filmohej. Aty mu mbushën sytë me lot, u lumturova shumë. Ishte më e gjatë si bisedë. Ajo e çmonte shumë dhe babain tim. Kur më pyeti për babain, e kuptova që nuk kishte një problem aq madhor sa mendohej, thjesht ishte tërhequr nga realiteti i Shqipërisë. Por memoria e saj ishte shumë e mirë. Nuk kishte humbur asnjë presje nga ajo kohë. Kam deshirë të bëj një bashkëpunim, për kënaqësinë e publikut.