Sali Berisha ka shpenzuar rreth 600 mijë euro për të kundërshtuar sanksionin e Britanisë së Madhe, që e shpalli “non grata” për lidhje kriminale në politikë dhe korrupsion madhor. Në dosjen e SPAK për klubin “Partizani”, është verifikuar se vajza e tij, Argita Berisha, i ka transferuar këto shuma si pagesa për avokatët që po ndjekin procesin gjyqësor kundër këtij vendimi.
Dje, Gjykata e Apelit në Londër hodhi poshtë kërkesën e avokatëve të tij për të shqyrtuar çështjen në apel, duke mos e marrë fare në konsideratë. Kjo do të thotë që Berisha humbi përfundimisht shansin për të hequr “non grata” nga Britania e Madhe dhe, bashkë me të, 600 mijë euro të paguara në mënyrë legale. Këtu nuk po llogarisim shumat e tjera të paguara tek spekulantë që i premtojnë zgjidhje të “magjishme”.
E njëjta histori përsëritet edhe me sanksionin “non grata” nga SHBA. Përveç shpenzimeve për gjyqin qesharak në Paris, Berisha vazhdon të harxhojë qindra mijëra euro për lobim politik në SHBA. Ai nuk shpreson vërtet që “non grata” do të hiqet, por përpiqet të bindë bashkëpunëtorët e vet se po bën diçka për t’u “shpëtuar” nga ky turp.
Për këtë arsye, ai paguan senatorë, kongresmenë, zyrtarë periferikë dhe lobistë që vijnë në Tiranë ose shfaqen në televizionet e familjes së tij për të thënë ndonjë fjalë të përsëritur se “non grata” është e padrejtë. Ndërkohë, këta individë “i rrjepin” nga paratë.
Nuk është për t’u ardhur keq për milionat që Berisha po shpenzon në përpjekje të dëshpëruara për të pastrohet në SHBA dhe Britani të Madhe. Pyetja është për Partinë Demokratike: a është problem të qenit “non grata” për të fituar pushtetin?
Nëse nuk është problem, siç pretendojnë disa, atëherë nuk ka arsye që Berisha të shpenzojë miliona euro për një gjë që nuk mund të ndryshohet. Ai nuk do ta heqë dot “non grata” për sa të jetë gjallë, dhe kjo vulë turpi do ta ndjekë edhe pas vdekjes.
Me aq shumë para të paguara në të zezë dhe ligjërisht, Berisha do të duhej të shpallej hajdut, edhe nëse nuk do të ishte shpallur “non grata”. Një person që pretendon se është i ndershëm, nuk ka pse të paguajë miliona euro për të mos u quajtur i korruptuar dhe i lidhur me krimin. Aq më tepër kur vendimet e drejtësisë britanike dhe amerikane janë tërësisht të pavarura.
Nëse PD-ja mendon se “non grata” nuk është problem, atëherë ata le ta provojnë të fitojnë zgjedhjet me Berishën “non grata”. Tani ai është riregjistruar si kryetar i PD-së. Vendimi i drejtësisë shqiptare e njohu sërish si kryetar, pavarësisht sanksioneve.
Në këtë pikë, nuk ka pse të shpenzojë më miliona euro, duke prishur pasurinë që fëmijët e tij kanë bërë gjatë pushtetit. Këto para mund t’u duhen për ditë më të këqija në të ardhmen. Në fund të fundit, Berisha është burrë plak. Nuk harxhon njeriu miliona euro vetëm për të qëndruar edhe katër vjet kryetar partie.