Kryeministri Edi Rama priti në darkën tradicionale të fundvitit me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë deklaroi se vendi ynë ka vetëm planin A, që është integrimi në Bashkimin Evropian.

“Ndërsa i qasemi një viti elektoral, besoj se do zërë vend në raportet dhe letrat tuaja. Pavarësisht se për kë do votojnë shqiptarët, ata do tregojnë se i përkasin familjes euroatlantike. Shqipëria nuk ka plan B, por vetëm një plan, Bashkimin Evropian”, tha kryeministri.

“Brenda kësaj dekade, do të japim gjithçka kemi, që kjo të bëhet realitet. Sidoqoftë, është afërmendsh që duam të jemi miq, miq të mirë e besnikë, me të gjithë të tjerët rreth kësaj tryeze, të cilët jetojnë, punojnë e rrisin mirëqenien matanë kufijve të Europës demokratike, si për shembull vendet vëllazërore të Gjirit, sistemi politik i të cilave është ndryshe nga i yni, por me të cilat kemi një lidhje të fortë dhe shpresoj e lutem që të bëhet edhe më e fortë”, shtoi Edi Rama.