Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri Rama u pyet nga gazetari lidhur me hetimet e SPAK, që kanë çuar pas hekruave disa prej ish-zyrtarëve të PS, si dhe për rastin e Erion Veliajt që u pyet për disa orë para pak ditësh në SPAK.
Rama thotë se nuk komenton punën e drejtësisë dhe as rastet individuale. Por një gjë të tillë e ka bërë thotë ai vetëm në një rast, vetëm kur ka vendim gjykate si ai i rastit Salianji, që e quan shpifës recidiv.
Zëri i Amerikës: Pyetja për shqetësimin, lidhet pikërisht me këtë, jo me faktin që ju habiteni nga kjo gjë, por a mund t’ju pyes për rastin e zotit Veliaj i përfshirë së fundmi në hetime? A e cënon kjo imazhin e Partisë suaj?
Kryeministri Rama: Unë nuk komentoj raste individuale, nuk e kam bërë asnjëherë, përveçse kur ka pasur një vendim përfundimtar gjykate, sic ka qenë rasti i një shpifësi recidiv. Por mund të them vetëm që, fakti se cilido është i hetueshëm, nuk e bën cilindo të fajshëm, dhe nga ana tjetër, gjyqet nuk bëhen në media, por gjyqet bëhen në proceset ligjore dhe kushtetuese.