Pranë Parkut të Liqenit të Tiranës po vijon puna për ndërtimin e Qendrës Kulturore Kombëtare për Fëmijë.

E cilësuar si pol kulturor shumëfunksional për fëmijë, kjo godinë do të ofrojë një sipërfaqe të shfrytëzueshme për aktivitete social-kulturore. Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna për ndërtimin e Qendrës Kulturore Kombëtare për Fëmijë, e cila sipas tij, “po rilind me një ndërtesë të re me sipërfaqe 6500 m²”.

Rama theksoi se kjo qendër do të mikpresë 400 spektatorë me hapësira të reja të dedikuara jo vetëm për fëmijët.
“Kjo ndërtesë vjen me një koncept të ri të artit ku parashikohen klasa aktrimi, kërcimi, muzike, pikture, si dhe shfaqje në natyrë, me një skenë të hapur drejt Parkut të Madh të Tiranës”, u shpreh Rama.
Qendra do të jetë multifunksionale, duke ofruar hapësirat për aktivitete të ndryshme për fëmijët e grup-moshave 3-12 vjeç.

Kjo qendër do të ketë hapësira të dedikuara edhe për prindërit, që nga ato që ofrojnë lehtësira praktike (ambiente për ruajtjen e sendeve personale apo kënde të posaçme për ushqimin e të vegjëlve), edhe salla takimi apo multifunksionale.

Vendndodhja e kësaj qendre pranë Parkut të Liqenit krijon mundësinë e lidhjes me natyrën, duke organizuar aktivitete brenda e jashtë ndërtesës.

Ndërlidhja e fëmijëve me natyrën është pjesë e rëndësishme për zhvillimin e tyre, por edhe për kulturën e ruajtjes së mjedisit. Ndaj, hapësirat e dedikuara për aktivitetet në natyrë mund të shfrytëzohen për aktivitete të përshtatura agrokulturore, arkeologjike apo dhe artistike.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka inspektuar sot kantierin e Qendrës Kulturore Kombëtare për Fëmijë, ku ka ndjekur nga afër ecurinë e punimeve.

Projekti ka nisur zbatimin në vitin 2023 dhe pritet të përfundojë brenda 2 viteve. Me një vlerë financimi rreth 1 miliard lekë, projekti parashikohet të mbulohet me fondet e buxhetit të shtetit.