Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me prindërit dhe mësuesit e shkollës “Halit Coka” në Kamëz.
Kreu i qeverisë u ndal te përdorimi i rrjeteve, ku tha se mbyllja e platformës TikTok është ndihmë, por jo zgjidhje.
Ndër të tjera kryesocialisti u ndal te figura e mësuesit, ku tha se autoriteti i tyre është ende në pikëpyetje.
“Një nga arsyet kryesore që vendet e mëdha po përpiqen ta luftojnë si fenomen është shëndeti mendor. Krijimi i një situate skizofrenike, një sjellje që kërkon ta sjellë nga ajo joreale në atë reale. Bëhesh personazh sa arrin të vrasësh dhe nuk kupton çfarë ke bërë. Në fund të ditës edhe bllokimi i TikTok është ndihmë, por jo zgjidhje, nuk ka zgjidhje nëse nuk ka përfshirë të drejtpërdrejtë të shkollës, dhe prindërve në funksion të rritjes së perimetrit të sigurisë. Ne jemi duke bërë një plan të ri masash, por dua të them që shumëkush ‘tani u kujtuat ju?’. Ne nuk jemi kujtuar tani, nuk ndodh më që të ndodhë një rikonstruksion që të mos ketë palestrën brenda. Ne e gjetëm shkollën pa asnjë orë të edukimit fizik, s’kishte as mësues të edukimit fizik. As oficerët e sigurisë, bashkë me psikologët nuk kanë ekzistuar. Nuk ndodh më që të vijë urdhri nga Drejtoria e Shkollës ‘hajde dalim në miting se ka ardhur kryeministri. Nuk ndodh më që të ketë mësues që të punësohen jashtë profilit. Të gjitha këto janë sistemuar, për sa kohë ka shtet, qeveri, ka përherë gjera për të përmirësuar. Mundësitë, falë ekonomisë që po rritet, po zgjerohet dhe kështu sot ne i kemi mësuesit më të mirë paguar. Ishin mësuesit më të keqpaguar të Ballkanit.
Autoriteti i mësuesit është ende në pikëpyetje. Problemi janë nxënësit e klasës së nëntë. Nga të dhënat që kemi marrë, pjesa më e madhe e denoncimeve vijnë nga klasat e nënta.
Mësuesit të mos ndihen si të vetmuar. Sistemi që kemi po zhvillohet që të bëjë të mundur këtë informacion. E dinë shumë mirë që na duhet të rrisim drejtimin e shkollave, ndaj kemi hapur shkollën e drejtoreve.”, u shpreh Rama.