Nga Mero Baze/

Ditët e fundit, pas ndarjes nga jeta të Profesor Sami Repishtit, kam parë dy reagime nga Partia Demokratike që më kanë gëzuar dhe trishtuar njëkohësisht. Bëhet fjalë për Agron Gjekmarkajn dhe Ervin Salianjin. Jam gëzuar që ata kanë vlerësuar Profesor Repishtin dhe kanë përmendur kontributin e tij për Kosovën dhe për dekomunistizimin e Shqipërisë.

Por, duke qenë se ata janë të rinj në PD, jam i paqartë nëse e kanë bërë këtë me vetëdije kundër Berishës, apo thjesht nuk e dinë që armiku më i madh i Sami Repishtit në Shqipëri ishte Sali Berisha.

Nëse e kanë bërë me vetëdije, duhen përgëzuar.

Nëse nuk e dinë, atëherë duhet të jenë më të kujdesshëm dhe të informuar për historinë e liderit të tyre, duke qenë se kanë zgjedhur të reshtohen pas tij deri në fund.

Gjatë punës sime dyvjeçare për të shkruar historinë politike të Kosovës nga viti 1989 deri në vitin 1999, jam ndeshur në dosje të shumta që dokumentojnë kontributet e Profesor Sami Repishtit për Kosovën. Ai u ka dërguar dhjetëra memorandume Bukoshit dhe Rugovës, për t’i orientuar në xhunglën e diplomacisë botërore, dhe u ka siguruar referenca të dokumentuara historike për historinë e Kosovës, të përdorura në takimet ndërkombëtare. Sami Repishti dhe Bardhyl Tirana, i cili ka shërbyer si shef stafi në administratën e Presidentit Carter, kanë punuar pa pagesë si konsulentë për qeverinë e Kosovës. Në një akt simbolik, Bardhyl Tirana ka lidhur një kontratë pagese për një dollar, për të respektuar ligjet amerikane.

Po aq sa u angazhua për Kosovën, Sami Repishti punoi edhe për Shqipërinë. Kur, në vitin 1996, Shqipëria po rrëshqiste drejt autokracisë dhe Berisha po udhëhiqte një kurs antim amerikan, sidomos pas zgjedhjeve të 26 majit 1996, Sami Repishti u vendos në krye të një organizate të re shqiptaro-amerikane, NAAC (Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan). Kjo organizatë synonte të bëhej zëri i shqiptarëve në SHBA, besnik ndaj qeverisë amerikane. Deri në atë kohë, e vetmja organizatë e tillë ishte “Vatra,” e kthyer nga Berisha në një celulë të PD-së, pa asnjë ndikim real në administratën amerikane dhe komunitetin shqiptar.

Sali Berisha e kundërshtoi me forcë këtë organizatë dhe mobilizoi ambasadën shqiptare në Uashington për ta diskredituar Sami Repishtin. Paranoja e Berishës rritej nga dyshimet se SHBA po mobilizonte çdo faktor kundër tij. Për shkak të kësaj situate, Berisha ishte njësoj i inatosur edhe me Rugovën dhe Bukoshin, që mbështeteshin tek kontributi i Repishtit në SHBA.

Histori nga arkiva: Darka e lobimit në Uashington, 7 shkurt 1997

Në librin tim, “Republika e Parë,” kam përshkruar një episod të rëndësishëm nga ajo periudhë, ku Këshilli Shqiptaro-Amerikan organizoi një darkë në Uashington, me pjesëmarrjen e kongresmenëve si Eliot Engel dhe mbështetësve të çështjes shqiptare. Kjo organizatë po merrte rolin e një ndërmjetësi mes Departamentit të Shtetit dhe komunitetit shqiptar. Berisha refuzoi çdo bashkëpunim dhe dha urdhër që ambasada shqiptare të mos bashkëpunonte me ta.

Një përgjigje e ambasadës shqiptare, nënshkruar nga Mustafa Xhepa, aludonte se Sami Repishti ishte i komprometuar nga lidhjet me regjimin komunist. Ky sulm ndaj një ish-të burgosuri politik dhe një nga zërat më të spikatur kundër komunizmit ishte sa ironik, aq edhe i padrejtë.

Faqe 397 -398. “Republika e Parë”

“Më 7 shkurt, kongresmeni Eliot Engel dhe kongresmenë të tjerë të angazhuar me çështjen shqiptare, patën takim me Këshillin Shqiptaro-Amerikan, organizatë e sapokrijuar që ndërlidhte qeverinë e SHBA me kërkesat e komunitetit shqiptar. Ishte zhvillim që pasonte atrofizimin e shoqërisë “Vatra”, si një organizatë me funksion të humbur, kthyer në celulë e Berishës në SHBA.

Për shkak të konfliktit të Berishës me administratën amerikane dhe kontrollin e tij politik mbi “Vatra”, kjo organizatë e re, e formuar nën drejtimin e prof. Sami Repishti, një disident i komunizmit i arratisur në SHBA, dukej se kishte mbështetje të qeverisë amerikane.

Sali Berisha e kishte pritur me dyshime dhe konspiracion të madh krijimin e Këshillit Shqiptaro-Amerikan dhe po e bojkotonte atë. Ndërkohë që Bukoshi ishte në Washington, kjo organizatë pati një tubim për të mbledhur fonde dhe për të dhënë opinionet e saj rreth zhvillimeve në Kosovë dhe Shqipëri.

Sami Repishti njoftoi kontaktet e tij me Departamentin e Shtetit dhe kërkesën që një përfaqësues i tyre të ishte pikë kontakti në qeverinë amerikane. Kishin propozuar emrin e Ilir Zherkës, një intelektual i ri i brezit të dytë në SHBA, me origjinë nga Tropoja. Për t’i dhënë mbështetje Këshillit Shqiptaro-Amerikan, në mbrëmje merrte pjesë ish ambasadori William Ryerson.

Lindita Imami, e cila u caktua si administratore e këtij Këshilli në Washington DC, kishte përvojë të gjatë si oficere përkthimi me delegacionet shqiptare në Departamentin e Shtetit dhe Pentagon.

Këshilli u përpoq të vendoste kontakte zyrtare me Ambasadën e Shqipërisë në Washington, por pa sukses.

Berisha kishte dhënë urdhër të mbaheshin larg. Sekretari i ambasadës shqiptare në Washington i ktheu përgjigje fyese Këshillit, duke theksuar se aty bëjnë pjesë anëtarë të lidhur me regjimin e vjetër komunist në Shqipëri.

Aludimet ishin për prof. Sami Repishtin si bashkëpunëtor i regjimit komunist, një ish-i burgosur politik i arratisur nga Shqipëria prej komunizmit.

Në përgjigjen për sekretaren e këtij këshilli, Lindita Imami, Mustafa Xhepa nga ambasada e Shqipërisë në Washington, shkruan:

“Lidhur me kërkesën tuaj për t’u takuar me ambasadorin në datën dhe orën që ju fiksoni, ai më ka kërkuar t’ju njoftoj se e ka të vështirë të presë përfaqësuesit e një Këshilli jo kredibël në sytë e opinionit shqiptar, për shkak të pjesëmarrjes së disa personave të komprometuar nga lidhjet me regjimin e mëparshëm. Do t’ju lutesha të ruani konfidencialitetin e kësaj letre! Mustafa Xhepa.”

Në atë kohë, Berisha ishte po aq i ftohtë me kongresmenin Engel, të cilit i kishte refuzuar ndërmjetësimin në krizën e vitit 1996, duke mos e pritur në takim në Tiranë. Meqë dhe ai ishte mbështetës i Këshillit Shqiptaro-Amerikan, paranoja bëhej më e plotë.

Ajo që po ndodhte në Washington, ishte e qartë. SHBA kishte marrë nën kontroll problemin e Kosovës për ta izoluar atë nga Shqipëria dhe po i priste rrugët e komunikimit Sali Berishës, duke krijuar një organizatë të re shqiptaro-amerika të njohur si interlokutore me Departamentin e Shtetit.

Reagimi agresiv i Berishës dhe i ambasadës shqiptare në SHBA ndaj NAAC, ishte shenjë e qartë se SHBA kishte bërë atë që duhej.”

Kjo është historia e Sami Repishtit me Sali Berishën. U gëzova që dy deputetë të rinj të Berishës e vlerësojnë atë. Tani që Sami Repishti ka ndërruar jetë, kam frikë se edhe Berisha mund të dalë për ta vlerësuar, ashtu siç bëri pa pikë turpi për Ibrahim Rugovën dy ditë më parë. Rugova vdiq pa u pajtuar me Berishën që prej vitit 1996, kur ky i fundit tentoi ta rrëzonte nga pushteti në Prishtinë, vetëm sepse Rugova nuk pranoi të përdorej nga Berisha për të arritur një tolerim të SHBA-ve ndaj kursit të tij antiperëndimor.

Megjithatë, deri tani Berisha ende nuk ka folur. Nëse ai do të flasë fjalë të mira, siç ka bërë zakonisht për të gjithë ata që ka pasur kundërshtarë të vdekur, kjo mund të jetë fat për këta dy deputetë të rinj, të cilët ndoshta nuk e dinë për kë kanë folur fjalë të mira. Por nëse ai nuk flet, atëherë kjo mund të tregojë se ata nuk i kanë punët mirë.