Serie A e futbollit vijon me ndeshjet e raundit të 15-të. Këtë të shtunë Genoa dhe Torino u ndalën në barazimin 0-0, teksa edhe Juventusi nuk shkoi më shumë se një pikë pas barazimit 2-2 në shtëpi me Bolognan. Në 20:45 Roma luan me Leçen në “Olimpico”.
Në “Allianz Stadium”, Juventusi siguroi barazimin e tretë radhazi dhe të nëntin këtë edicion në Serie A, ndërsa është mes të paktave skuadra në botë që ende nuk ka pësuar humbje në kampionat. “Zonja e Vjetër” u ndal 2-2 nga ish-ekipi i Thiago Mottas, Bologna. Miqtë gjetën golin e parë me Ndoye pas 30 minutash lojë. Edhe fraksioni i dytë solli golin e Bolognas me Pobega, ndërsa trajneri Motta u ndëshkua me karton të kuq te Juvja. Duket se bardhezinjtë “u ndezën” dhe gjetën golin e parë me Koopmeiners, ndërsa në shtesën e dytë barazuan me Mbangula, pas asistit të Vlahovic. Ndeshje e tensionuar në Torino, me Juven që ende nuk po del te tri pikët.