Shqipëria dhe Kosova kanë nisur përgatitjen për mbajtjen e një seance të përbashkët të dy parlamenteve fillim vitin e ardhshëm në Prishtinë.
Parlamenti i Shqipërisë i konfirmoi Top Channel mbajtjen e kësaj mbledhje të përbashkët mesin e Janarit 2025.
Mësohet se kryetarja e kuvendit të Shqipërisë Elisa Spiropali dhe homologu i saj Glauk Konjufca, janë duke bashkërenduar organizimin.
E pyetur nga Top Channel në lidhje me këtë takim kryetarja e kuvendit Elisa Spiropali tha se: “Ky Kuvend i përbashkët vjen si nevojë e koordinimit të agjendës tonë kombëtare për realizimin e objektivave strategjike, anëtarësimin e Shqipërisë në BE, integrimet euro-atlantike të Kosovës, mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe rritjen e kontributit të faktorit shqiptar në zhvillimin, demokratizimin, paqen e sigurinë në rajon e më gjerë”.
Parashikohet të kenë fjalë dy kryeministrat Kurti e Rama, dy kryetarët e parlamenteve dhe nënkryetarët e grupeve parlamentare.
Fokusi do të jenë intensifikimi marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në këtë mbledhje të përbashkët do ti bëhet një bilanc zbatimit të 30 marrëveshjeve të përbashkëta ndërqeveritare Kosovë-Shqipëri.
Kjo do të jetë mbledhja e dytë e përbashkët e dy parlamenteve.
Ligjvënësit e të dy shteteve u mblodhën të dielën e 27 Nëntorit 2022 në Parlamentin Shqiptar, në vigjilje të 110-vjetorit të Pavarësisë.
Takimi në Prishtinë mes dy parlamenteve fillim vitin e ardhshëm, vjen në një kohë kur është ndalur tradita e mbajtjes së mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive.
Ne qershor të 2023 supozohej mbajtja e mbledhjes së dy qeverive paracaktuar për tu zhvilluar në Gjakovë por u anulua.
Atë kohë kryeministri Edi Rama sqaroi se kjo mbledhje nuk u realizua pas refuzimit të kryeministrit Albin Kurti.
“Shpresoj të takohemi për të ballafaquar opinionet” u shpreh kryeministri Rama.