TIRANË- Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, e shoqëruar nga avokati i saj, është paraqitur ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme. Kësaj here, Kryemadhi është shfaqur duke çaluar dhe duke mbajtur një bastun. E pyetur nga gazetarët se çfarë kishte ndodhur, Kryemadhi është përgjigjur shkurtimisht: “Jeta kështu është”.

Në Apelin e GJKKO do shqyrtohet ankimi i Kryemadhit për sekuestron e vilës së saj dhe të nënës. Ndaj deputetes së PL-së, është caktuar masa e detyrimit të paraqitjes, pasi është aktualisht nën hetim për kryerjen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2 raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.