Në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, në Tuz të Malit të Zi u vendos monumenti i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ky moment shënon një hap të rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e identitetit shqiptar në Mal të Zi.

Marash Dukaj, ministri i Administratës në Mal të Zi i ftuar në emisionin “Intervista e ditës” në DritareTV foli për këtë moment historik për shqiptarët në Mal të Zi. Ai thotë se kjo iniciativë historike u realizua falë bashkëpunimit midis diasporës shqiptare, autoriteteve vendase dhe kontributit të Tiranës. Projekti dhe monumenti i heroit kombëtar u financua nga mërgimtarët malësorë dhe shoqatat shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Shtatorja për ne është një ngjarje historike. Për shumë arsye, por kryesorja është se kryeheroi ynë e kishte vendin në Tuz, në Malësi sepse ato janë toka shqiptare. U tregua një respekt ndaj nesh dhe Tuzi u vendos në radhën e qytezave të tjera shqiptare dhe evropiane sepse ndërtoi një bust gjigant të Skënderbeut si në Tiranë, Prishtinë e Shkup. Ky është një bashkëpunim mes faktorit shqiptar dhe diasporës sonë që është e jashtëzakonshme. Që është e gatshme të ndihmojë vendlindjen për çdo gjë që ka të bëjë me vendin ku janë lindur dhe kontribuojnë. Po ashtu edhe forumi shqiptar, politika shqiptare ndihmoi përmes procedurave ligjore. Nuk ishte e lehtë sepse Ulqini është trevë shqiptare dhe ka shumë kohë që do ta vendosë, por nuk po bien dakord. Por edhe për shkaqe të ndryshme politike.”, thotë zoti Dukaj në DritareTV.