Policia ka reaguar pas arratisjes së dy të rinjve të arrestuar ditën e sotme nga dhomat e shoqërimit.

Sipas bluve, 29-vjeçari me iniciale N. L., dhe 33-vjeçari me iniciale E. P., janë ndaluar më datën 28 dhjetor, për veprën penale “Vjedhja”. Pas masës së sigurisë në Gjykatën e Elbasanit, dy të rinjtë i kanë zbritur nga automjeti shërbimet e Policisë me qëllim kryerjen e procedurave për transferim në IEVP.

Por, ata kanë mundur të largohen me vrap nga ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Pas arratisjes, policia ka arritur që të kapë 33-vjeçarin, ndërsa po punohet për kapjen e të riut tjetër. Ndërkohë ka nisur hetimin disiplinor ndaj punonjësve të Policisë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin penal.

Njoftimi i policisë:

Mesditën e sotme, shtetasit N. L., 29 vjeç dhe E. P., 33 vjeç, pas masës së sigurisë në Gjykatën e Elbasanit, të ndaluar më datë 28.12.2024, për veprën penale “Vjedhja”, pasi i kanë zbritur nga automjeti shërbimet e Policisë me qëllim kryerjen e procedurave për transferim në IEVP, këta shtetas kanë mundur të largohen me vrap nga ambientet e DVP Elbasan.

Si rezultat i veprimeve policore është bërë e mundur kapja e njërit prej tyre, shtetasit E. P., dhe vijon puna për kapjen e shtetasit tjetër, N. L..

Në lidhje me këtë rast, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj punonjësve të Policisë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin penal.