21 dhjetori, ditëlindja e Stalinit dhe një debat në byronë politike midis Ramiz Alisë dhe Ismail Ahmetit për heqjen e busteve të diktatorit
Një lagje në kryeqytet e mban ende emrin 21 dhjetori, është ditëlindja e udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, diktatorit Josif Visarionoviç Stalin. Gjatë diktaturës komuniste, busti i Stalinit gjendej në sheshe e lagje të Tiranës, Shkodrës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë. Dhjetori i vitit 1990 nuk do të ishte më njësoj sepse dy javë më herët kishte rënë diktatura. Mëngjesin e 21 dhjetorit 1990, në Tiranë nuk ishin më bustet e Stalinit pasi zyrtari i lartë i regjimit, Ismail Ahmeti, kishte urdhëruar heqjen e tyre, pa u konsultuar me udhëheqësin komunist Ramiz Alia.
Politologu Afrim Krasniqi sjell detaje dhe dokumenta të debatit ndërmjet Ismail Ahmetit dhe Ramiz Alisë për heqjen e busteve të Stalinit, mesnatën e 21 dhjetorit.
“Retrospektivë, 21 dhjetor 1990. Zyrtarisht Byroja Politike “hoqi” bustet e Stalinit. Në fakt, ishin hequr gjatë natës, Byroja vetëm sa konfirmoi atë që kishte ndodhur. Shumicë autorë ia dedikojnë vendimin PPSH dhe Alisë “në kuadër të demokratizimit”. Ka një të vërtetë tjetër sqaruese. Procesverbali origjinal i mbledhjes urgjente të Byrosë Politike (i pa publikuar ndonjëherë) tregon më shumë për këtë (shih tekstin në foto të transkriptuar nga origjinali në audio).
Në historinë politike detajet kanë rëndësi dhe momentet mund të ndikojnë dukshëm. Në RDGJ një fjalë i anëtarit të Byrosë Shabovski solli rrëzimin e Murit, – askush nuk e sheh atë si teori konspirative, por keqkuptim që pati efekt historik. Në Shqipëri, në vendin plot mite e teori konspirative ku historia tregohet në mijëra variante nga cilido në kafen e lagjes, faktet nuk kanë rëndësi, pa dallim nëse mitet dhe “linja zyrtare” imponohen nga “zyra e propagandës në KQ” dje apo në “komisionet e partisë” sot.
Tirana është vendi i vetëm në zonën europiane që ende nderon 21 dhjetorin, ditëlindjen e Stalinit. Bashkia Tiranë ka investuar publikisht për këtë, qeveria e përdor si adresë zyrtare edhe pse nuk ekziston ndonjë dokument zyrtar në fuqi me emërtim zone”, shkruan Krasniqi.