“S’ka benzinë, nëse nuk mban helmetë”. Kjo është fushata e pazakontë që është ndërmarrë nga kjo e premte në Greqi.

Shkak për ndërmarrjen e kësaj nisme, për të cilën kanë pranuar të bashkëpunojnë të gjitha kompanitë e hidrokarbureve është bërë një ngjarja tragjike e ndodhur në Kretë, ku 17-vjeçari Yiannis Christoulakis ndërroi jetë në një aksident rrugor.

Pas ngjarjes së rëndë, pronari i një pike karburanti ku i riu ishte furnizuar me benzinë tha se nuk do t’u shërbejë motoçiklistëve që nuk mbajnë kaskë.

Kjo deklaratë shtyu Ministrinë e Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit dhe Federatën e Tregtarëve të Benzinës të Greqisë për të nisur fushatën sensibilizuese.

Kujtojmë se 17-vjeçari Yiannis Christoulakis humbi jetën tragjikisht pas një aksident automobilistik në Kissamos, prej të cilit luftoi për 16 ditë të tëra me jetën në reanimacionin e spitalit të Chanias.

Gjatë rrëzimit nga motoçikleta, adoleshenti grek pësoi lëndime në kokë që ishin tepër të rënda dhe i shkaktuan vdekjen.