Me sytë nga derbi. Tirana dhe Partizani do të jenë protagoniste të supersfidës së javës së 15-të të Kategorisë Superiore. Përballja që do të ndezë kryeqytetin do të luhet me tifozë.

Kjo garanton një atmosferë elektrizuese dhe do të ndihmojë të dyja ekipet për objektivat që kanë. Bardheblutë kërkojnë të ringrihen dhe ti largohen zonës së rënies nga kategoria.

Partizani në anën tjetër synon arratisjen në krye të renditjes. Me një fitore në derbi, distanca nga Egnatia e vendit të dytë do të kthehet në 4 pikë.

“Djemtë janë gati, luajmë përballë një skuadre të madhe si Tirana. Vendimi për të kthyer tifozët në derbi ishte i drejtë. Kjo është një ndeshje speciale për futbollin shqiptar. Shpresoj që do të jetë një mbrëmje festive për kryeqytetin dhe gjithë vendin. Nuk më takon mua të analizoj situatën e kundërshtarëve, mendoj vetëm për Partizanin. Gjithsesi i kemi studiuar dhe e kemi të qartë çfarë duhet të bëjmë. Kampionati është si maratonë. Duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshje për të marrë 3 pikët e radhës. Do të jetë rrugë e gjatë deri në fund të kampionatit”, tha trajneri i Partizanit, Aleksandër Veselinoviç.

Derbi Tirana-Partizani luhet mbrëmjen e kësaj të diele në Arenën Kombëtare, prej orës 19:00.