Në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, komentoi edhe punën e SPAK dhe goditjet që ka dhënë deri tani në politikën shqiptare, ku aktorë të rëndësishëm nga të dy krahët kanë përfunduar pas hekurave.

Ai theksoi se do ta vrisnim drejtësinë nëse do ta shihnim si aktor elektoral. Goditjet që ka dhënë SPAK në radhët e PS, Gjiknuri i lidhi edhe me qëndrimin për një kohë të gjatë në qeverisje.

“Nuk ndjehem mirë për asnjë koleg, qoftë edhe politikan, por edhe nga ana tjetër, ne për këtë sistem luftuam dhe PS ka meritë për të shtyrë para sistemin e ri të drejtësisë. Megjithatë, ne duhet të presim vendimin e gjykatave. Në këtë pikëpamje procedimet janë gjëja më normale pasi ne kemi gjatë në pushtet

Ne nuk duhet ta llogarisim drejtësinë si një aktor elektoral. Nëse ne e shohim drejtësinë si një aktor elektoral, ne përfundimisht e vramë drejtësinë, por edhe demokracinë në këtë vend. Drejtësia duhet të jetë objektive dhe kjo do të sillte ekuilibrimin e sistemit”, tha Gjiknuri.

Madje, Gjiknuri komentoi edhe një nga çështjet e shumëdiskutuara, a duhet të merren si provë bisedat e marra në Sky. “Sky është një indicie, por ajo duhet të lidhet edhe me ngjarje të caktuara. Kur akuzohet një politikan, sidomos për shkak të sensibilitetit të madh, duhet të kesh prova shumë të forta, pikërisht për të shmangur atë paragjykimin”, tha Gjiknuri.