Vendasit gjermanë janë të tronditur pas sulmit që ndodhi mbrëmjen e djeshme në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, ku një makinë hyri me shpejtësi mes turmës dhe përplasi njerëzit që ishin aty.

“Liderët dhe njerëzit këtu janë tronditur nga ngjarja. Ajo që do të ishte e premtja e fundit para Krishtlindjeve, solli një ngjarje të rëndë.

Ajo që e bën sulmin edhe më të tmerrshëm është se ai u krye tetë vjet pas një sulmi në një treg Krishtlindjesh në Berlin.

Është një jehonë nga e kaluara që është thellësisht shqetësuese për gjermanët vetëm pesë ditë para Krishtlindjeve”, tha korrespondenti i “Sky News”, Siobhan Robbins.

Ndërkohë, dëshmitarët okularë kanë përshkruar mes tronditjes së madhe momentin kur makina depërtoi mes turmës së njerëzve.

Liam Clowes ishte disa metra larg makinës që hyri në turmën e tregut të Krishtlindjeve. Ai ka treguar se ka parë njerëzit të cilët si pasojë e përplasjes, kanë përfunduar sipër makinës së autorit të ngjarjes.

“Nëse do të kishim qenë 15 metra më tej, do të ishim drejtpërdrejt para makinës”, rrëfen ai.

Nga përplasja me makinën, humbën jetën 2 persona dhe u plagosën 68 të tjerë, 15 prej të cilëve paraqiten në gjendje të rëndë shëndetësore.

Policia ka arrestuar një 50-vjeçar me origjinë nga Arabia Saudite, i cili ka qenë nën drejtimin e automjetit. Thuhet se ai ka mbërritur në Gjermani në vitin 2006 dhe ka punuar si mjek.