Albert HABAZAJ *

Më 28 Tetor të këtij viti [2024] lexova këtë shënim lakonik në rrjetin e Facebook-ut tek profili i gazetarit dhe publicistit të njohur, ing. Mero Baze: “Nën presionin disa vjeçar të Ilirian Zhupës, i cili qëmtoi një antologji të gjithë poezive të mia, nga koha studentore deri më sot dhe nën mungesën e plotë të mëshirës së Arben Bllacit, për të mos bërë asgjë që nuk do ai në libër si redaktor, nga nesër libri im shpërndahet në treg. Pak a shumë i hidhur si shkrimet”. U ndjeva i lumtur në kub kur lexova këtë njoftim, i motivuar nga besimi tek autoriteti dashamirës i Zhupës; nga bindja e fortë në meritat e diktaturës së shëndetshme redaktoriale të Bllacit të Ri, të cilin e kam mik qysh nga viti 1976; patjetër dhe tek ndjenja e sigurisë në poezinë e Bazes, të cilën e kam ndjekur, qysh në vitet tiranase në gazetat e moshës sonë “Studenti” dhe “Zëri i Rinisë”.

Firma e Mero Bazes është shfaqur në shtypin shqiptar me poezi aty nga vitet 1985.

Ndërkohë, kujtojmë që “Jug” është libri i parë me poezi i autorit, të cilin shoqëria shqiptare e më gjerë e njeh si gazetar sipëror shqiptar, me një fjalë të gjithëpushtetshme.

Ky libër është një përmbledhje e përzgjedhur e poezive të tij, krijuar prej vitit 1987, kur ishte student, por që u botua tepër vonë në kohë, para 10 vjetësh, në vitin 2014. Vëllimi poetik “Jug” synon të jetë një antologji e përzgjedhur e poezive të tij të angazhuara, të cilat janë më shumë se sa një përjetim emocional për vendlindjen e tij. Ky libër gjendet dhe në platformën ndërkombëtare të tregtisë elektronike amazon.com.

Në katalogun e Bibliotekës Kombëtare nga autori Mero Baze gjejmë 1327 regjistrime bibliografike (të cilat përditësohen duke u shtuar kronologjikisht), autor i7 librave publicistikë, në 4 tituj është redaktor dhe në 1 libër – bashkautor i tekstit shtesë (parathënies).

Atdheu në poezinë e Mero BAZES

“Shi me baltë”, të cilit po i festojmë datëlindjen letrare këtu, në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë është vëllimi i dytë i autorit. Ende s’ka mbushur 2 muaj që ka lindur dhe vjen në jetë 10 vjet mbas “vëllait të madh” – “Jugut”. Profili i Mero Bazes më thotë, së pari, që gazetaria dhe poezia janë dy motra bërë një nënë, e cila e ka emrin Kulturë e Vlerave Shkrimore; së dyti, ai ekonominë e fjalës e vlerëson shumë, e ka bazike, e ka thesar.

Baze, si mjeshtër i fjalës na ka dhuruar një kullë poetike, ndërtuar me katër kate: katit të parë i ka vënë emrin Një vend që quhet jug, të dytit Zëra pa jehonë, të tretit Orët e fundit të luleve dhe katit të sipërm Diell apo Titanik.

Duke falënderuar rektoren e Universitetit, prof. dr. Aurela Saliaj për angazhimin e drejtpërdrejtë në realizimin e kësaj veprimtarie letraro-kulturore në mjediset e sallës së madhe “Ali Asllani” të UNIVLORËS, ndjesë të nderua rmiq, që nuk mund të trajtoj gjithë ndërtesën librore të autorit, sepse pedagogët e nderuar të letërsisë n ëUniversitet dhe autoritete të fushës, si prof. dr. Roland Zisi, prof. as. Monika Hasani dhe prof. as. dr. Ermir Xhindi, nëpërmjet mendimit të specializuar, na njohën më mirë e më thellë me veprën letrare të autorit.

Thjesht, do të shpreh nja dy mbresa: Poezia e MeroBazes ka frymëmarrje, ka imazh që lëviz e unë ia ndjej frymën që nga poemthi “Atdheu” i katit të parë deri tek poemthi i fundit i katit të katërt për qenin e shtëpisë “Vdekja e Baloit”, se “Asgjë s’mund të vdesë më në këtë botë/ kur vdekja e para zë të vdesë…”. Mero Baze është një poet i vërtetë atdhetar, por është i pamëshirshëm në dashurinë ndaj tërësisë njerëzore, megjithë kohësinë dhe hapësirën e saj, me virtytet dhe veset pa retushe.

Të them të drejtën, pasi lexova poezinë e gjatë apo poemthin “Atdheu”, pulita sytë e thashë me vete: “Po ky Baze, ç’i ka këto vargje: “Mos e lini Atdheun ta vizatojnë poetët…”, se “Atdheu s’është siç shkruajnë poetët…” etj. Hejbela! Se unë them: “Mos u mërzit, Atdhe!/Ke poetët…” Dyshueshëm dhe detyrimisht, iu riktheva prapë leximit, tani të vëmendshëm. Pashë që autori kishte një këndvështrim të ri shumë ndjesor, origjinal, tëguximshëm, të gjithëpërfshirshëm, pa syze, pa kollare, pa lajka, i gatshëm dhe për debat, jo për orientime, ndoshta dhe i përgatitur dhe për ndonjë kundërsulm “patriotik” të dëshpëruar trimash të lodhur…

“Atdheu” i Bazes është një klithmë e një kirurgu të vërtetë shkrimor, të rreptë, por të saktë e shërues për shijet artistike dhe estetike të lexuesit të sotëm edhe të nesërm. Mendoj se këtë shërim e realizon me operacionin e vargut sy më sy e me këmbë në tokë, që i bën realitetit të përditësuar atdhetar, këtij bashkëkohorit pra… Poeti shkruan: “Të duash këtë vend që quhet Atdhe…/ Ta duash është heroizëm i vërtetë …/ Të duash këtë Atdhe është torturë…, / Ta duash këtë Atdhe është marrëzi…/, Të duash Atdheun duhet të jesh burrë…” .Kundërshojeni?!…

Kemi “Shi me baltë” apo një elegji për atdhedashurinë. Kemi “Shi me baltë” apo tablo realiste për dashuritë njerëzore!?

Sikurse poeti është një grimcëz, një dritëz në kozmos, edhe poezia e tij është identitet, është pjesë e së tërës sonë letrare, që thjeshtësisht e në sy të thotë: Ky jam unë, peshomëni…

Të paktën, këtu në Vlorë Mero Baze peshon shumë, sepse jo vetëm, gjeografia e historia, por edhe kultura, letërsia, folklori, etnografia dhe etnologjia i ka parë në krahë të njërit – tjetrit “tepelenas e vlonjatë…”, siç e përjetëson dhe kënga labe këtë përbashkim bujar.

Pjesë e Pentagonit së poezisë së “Tepelentë”

Në Letrat Shqipe, Mero Baze është pjesë e Pentagonit së poezisë së “Tepelentë”, së bashku me engjëllorët Petrit Ruka e Qazim Shemaj, me udhëtarin e vargut të lartë Ilirian Zhupa, si dhe poetin e mirënjohur të kockës së fortë identitare, të zotin e “Rrënjëve” prof. Sadik Bejko.

Vlen të kujtojmë, që treshja Ruka – Shemaj – Zhupa i dhanë famë poezisë së madhe të Tepelenës së vogël, sikurse dhe 2 simotrat e saj Lezha e Tropoja. U hëngrën arrët të mëdhenjve, siç thotë një fjalë e vjetër këtyre hënave, sepse “3 provincat lirike” u matën me luanët e Tiranës dhe qyteteve të mëdha, bënë sfida e vunë firmë në letërsinë shqipe, pikërisht në fushën e poezisë bashkëkohore, qysh në vitet 1975-1985 e në vijim.

Poeti i Himarës, Tepelenës, Labërisë dhe Shqipërisë, Ilirian Zhupa, që tashmë, fatmirësisht për ne, është i regjistruar në poezinë europiane shprehet: “Mero i dashur! Pavarësisht rezistencës tënde për të mos u shfaqur si poet, kënaqësia ishte imja dhe besoj e lexuesit shqiptar, të cilit ia prezantuam këtë libër! Një libër me shumë shi dhe baltë, dy elementët themelorë për krijimin e jetës”…

Ne e dimë, që ky libër ka bërë bujë në Tiranë, por kam bindjen se autori Mero Baze, si kushëri i parë letrar i poetëve vlonjatë, nuk mund ta quante të mirëqenë, pa marrë vulën poetike të Vlorës. Sot Vlora ia dha këtë vulë poetike të merituar.

A e vëreni dashamirësinë e poetit për poetin?! A e ndjeni fisnikërinë e poetit shembullor për qytetarinë. Vjen së brendshmi, buron e gurgullon si gurrë e kulluar shpirti. A nuk kemi të drejtë të shprehemi: “S’është gjë takimi i mbretit me mbretin/ para takimit të poetit me poetin”!…

*) Përgjegjës i bibliotekës shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë; Kryetar i Shoqatës së Shkimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë.