Një gjykatë federale po ofron një kornizë të re për të menduar për Amendamentin e Parë, në epokën e mediave sociale.

Nga Alan Z. Rozenshtein

Shumëkush do ta lexojë opinionin e gjykatës federale të apelit të dy javëve më parë, që mund të ndalojë TikTok si një humbje për Amendamentin e Parë, dhe në disa drejtime, e tillë është. Nëse TikTok zhduket nga Shtetet e Bashkuara, rreth 170 milionë amerikanë do të humbasin aksesin në një platformë qendrore për jetën e tyre të përditshme dhe shprehjen krijuese. Dhe nderimi që gjykata i bën Kongresit dhe pretendimeve të degës së ekzekutivit, për sigurinë kombëtare është vazhdim i një modeli të vendimeve të gjykatave, që dobësojnë mbrojtjen e Amendamentit të Parë, sa herë që qeveria sjell në vëmendje shqetësime për sigurinë kombëtare.

Por opinioni nuk duhet të shikohet vetëm përmes kësaj lenteje. Sepse, gjykata hodhi poshtë kornizën e zakonshme të sigurisë kombëtare kundrejt Amendamentit të Parë, dhe në vend të kësaj e quajti vetë TikTok-un, si zuzarin e Amendamentit të Parë. Kjo qasje mund të ketë pasoja afatgjata për aftësinë e qeverisë për të rregulluar internetin.

Historikisht, kur gjykatat kanë shqyrtuar çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare dhe lirinë e fjalës, ato i kanë trajtuar ato si një lojë me shumë zero: ose mbrojnë sigurinë kombëtare në kurriz të të drejtave të Amendamentit të Parë, ose ruajmë liritë e Amendamentit të Parë pavarësisht nga rreziqet e mundshme ndaj sigurisë. Vëzhguesit ligjorë (përfshirë veten time) prisnin që kjo çështje të ndiqte këtë model të njohur, me gjykatën që peshonte pretendimet e fjalës së lirë të TikTok, kundrejt shqetësimeve të qeverisë për sigurinë kombëtare, në lidhje me privatësinë e të dhënave dhe manipulimin e informacionit.

Por në vendimin e saj, gjykata bëri diçka të papritur. Përveç vlefshmërisë që u dha argumenteve të qeverisë për sigurinë kombëtare, ajo vuri theksin mbi një tension të rëndësishëm brenda argumenteve pro-shprehjes së lirë: të drejtën për të hyrë dhe për të folur në platformën e zgjedhur, kundrejt të drejtës për të pasur platforma të lira nga manipulimi dhe kontrolli i huaj. Gjykata shpjegoi:

Në këtë rast, një qeveri e huaj kërcënon të shtrembërojë fjalën e lirë në një mjet të rëndësishëm komunikimi. Duke përdorur strategjinë e saj hibride tregtare, [Republika Popullore e Kinës] është pozicionuar për të manipuluar diskursin publik në TikTok në mënyrë që t’i shërbejë qëllimeve të veta. Aftësia e RPK për ta bërë këtë është në kundërshtim me bazat e fjalës së lirë. Këtu Kongresi, siç propozoi Ekzekutivi, veproi për t’i dhënë fund aftësisë së RPK për të kontrolluar TikTok. E kuptuar në atë mënyrë, Akti vërtet thekson vlerat që mbështesin Amendamentin e Parë.

Ky arsyetim kundër shtrembërimit të fjalës së lirë dikur ishte qendror për Amendamentin e Parë, veçanërisht në rastet e financimit të fushatave, derisa Gjykata e Lartë e hodhi poshtë atë kur hoqi kufijtë e kontributit në fushata të korporatave, me vendimin “Citizens United kundër FEC”. Kohët e fundit, në Moody kundër NetChoice, Gjykata kritikoi ligjet shtetërore që kufizojnë moderimin e përmbajtjes në mediat sociale duke rikthyer në vëmendje një precedent të viteve 1970, se qeveria nuk mund të “kufizojë fjalën e disa elementëve të shoqërisë sonë për të përmirësuar zërin e të tjerëve.”

Por arsyetimi kundër shtrembërimit vazhdon në rastet e sigurisë kombëtare. Për shembull, vetëm një vit pas Citizens United, Gjykata e Lartë konfirmoi një vendim të asaj kohe – Gjykatësi i Gjykatës së Qarkut të Uashington DC, Brett Kavanaugh, thotë se të huajt nuk kanë të drejtë prej Amendamentit të Parë, për të kontribuar në zgjedhjet në SHBA.

Argumenti kundër shtrembërimit figuronte edhe në opinionin e përbashkët nga Sri Srinivasan, kryegjykatësi i Qarkut DC, i cili u fokusua në historinë e gjatë të legjislacionit që kufizon pronësinë e huaj të sektorëve kyç të ekonomisë amerikane, duke përfshirë radion, televizionin transmetuesit dhe rrjetet celulare. Këto kufizime u motivuan nga të njëjtat shqetësime legjitime si ligji i TikTok: mundësia për manipulim të fshehtë të mjedisit të informacionit amerikan.

Theksi këtu është te fshehtësia sepse, siç theksoi Srinivasan, “kundërfjala” – reagimi ndaj fjalëve të debatueshme me më shumë të fjalë – “është e pakapshme dhe e pakuptueshme kur reagohet ndaj manipulimit të fshehtë (dhe me sa duket të pazbuluar) të një platforme të mediave sociale.”

TikTok ka pak opsione; ligji i ndalon dyqanet virtuale të aplikacioneve dhe ofruesit e shërbimeve cloud që të “shesin” TikTok dhe aplikacionin e tij, përveç rastit kur ByteDance, kompania e saj mëmë kineze, e shpërndan, gjë që nuk ka gjasa ta bëjë. Donald Trump bëri fushatë kundër ligjit (megjithë përpjekjet për të ndaluar TikTok gjatë administratës së tij të parë), por ai është tërhequr nga premtimet e tij për të shpëtuar TikTok. Edhe nëse ai dëshiron të ndihmojë kompaninë në mandatin e tij të dytë, opsionet e tij janë të kufizuara, sepse lojtarët kryesorë janë kompani private, si Apple dhe Oracle, të cilat do të përballen me ndëshkime për ofrimin e shërbimeve për TikTok.

Kjo lë Gjykatën e Lartë, në të cilën TikTok planifikon të apelojë vendimin. Megjithëse gjykatësve nuk u kërkohet të dëgjojnë çështjen, ata mund të jenë të prirur ta bëjnë, duke pasur parasysh pasojat ligjore dhe politike. Ata gjithashtu ndoshta do të ndalojnë ligjin ndërsa mendohen, duke i dhënë TikTok një afat deri në vendimin e Gjykatës këtë verë. Por TikTok mund të zbulojë se Gjykata është më pak e hapur për kauzën e saj sesa paneli ndër-ideologjik i gjykatësve në Qarkun e DC.

Kështu, që këtë verë, TikTok siç e njohim, mund të mos jetë më platforma kryesore e videove të shkurtëra në Amerikë. Efektet afatgjata të procesit gjyqësor janë më pak të qarta. Nëse Gjykata e Lartë përqafon arsyetimin e Qarkut DC se ndalimi i TikTok përputhet me, dhe vërtet avancon parimet e Amendamentit të Parë – veçanërisht nëse e shtrin këtë arsyetim përtej kontekstit të sigurisë kombëtare – mund të hapë derën për një rregullim më të sigurt të qeverisë që shkurton disa të drejta të të folurit në favor të mbrojtjes më të gjerë të Amendamentit të Parë.

Edhe pse kjo, në disa mënyra, do të justifikonte një synim afatgjatë të liberalëve dhe progresistëve për të trajtuar të metat e mjediseve të parregulluara diskursit publik, ka shumë rëndësi se kush në qeveri e zotëron atë pushtet – dhe me administratën e ardhshme Trump, implikimet mund të jenë shqetësuese. / The Atlantic – Bota.al

Alan Z. Rozenshtein është Profesor i Asociuar i Ligjit në University of Minnesota.

(Bota.al)