Gazetarja Ola Bruko dhe këngëtari Endri Prifti kanë qenë të ftuar në programin “Ndryshe”, me Salsano Rrapin dhe Elona Duron, ku kanë zbuluar detaje nga romanca.

Ata e zyrtarizuan lidhjen e tyre disa muaj më parë, megjithëse lajmet për marrëdhënien e tyre qarkullonin që më parë.

Romanca lindi gjatë emisionit “Dola te Ola,” ku Endri dhe Stefi Prifti ishin jo vetëm këngëtarë, por edhe bashkëprezantues me Olën.

“Lindi rastësisht pas tri vitesh. Ne kishim emisionin “Dola te Ola” dhe rastësisht”, -tha Endri.

Ndërsa Ola shtoi:

“Askush nga ne nuk e kërkoi, por për shkak të punës ne qëndronim shumë kohë bashkë. Qëndronim të tre bashkë, edhe me Stefin. Bënim mbledhje pas emisionit, takoheshim gjatë javës se programonim emisionin e radhës, e të tjera me radhë.”

Mirëpo, jo të gjithë e kanë komentuar pozitivisht lidhjen e tyre. Për komentet e shumta në rrjet, Ola ka dy fjalë dhe një sqarim për të bërë. Kjo pasi pati edhe nga ata që spekuluan se ajo u nda nga ish-bashkëshorti për shkak të Endrit.

“Dua të përpiqem t’i bëj njerëzit të kuptojnë që nuk duhet të merren me tjetrin. Kurrë mos thuaj kurrë, thotë populli. Çdokujt mund t’i ndodhë një e mirë, apo një e keqe në jetë dhe s’mund ta gjykosh tjetrin pa e ditur historinë. Për shembull mua kanë arritur të më shkruajnë deri aty sa “ty të raftë pika moj vajzë që prishe familjen për Endri Priftin”. Më fal, ku e di ti që unë paskam prishur familjen për Endri Priftin?

Kjo është shumë e tmerrshme edhe jo për mua. Mua më vrasin, sepse kjo mund të ndikojë tek fëmijët e mi. Mua vetëm kjo më vret. I kam të dy fëmijët adoleshentë dhe të dy fëmijët e duan Endrin shumë. Mezi presin ta takojnë.

Përpiqem të mos i marr në konsideratë, pastaj vjen një moment dhe them “si ka mundësi, çfarë janë këta njerëz që kanë këtë keqdashësi të madhe brenda vetes?”. Në fund të ditës të erdha të mora burrin ty? Ose ku di unë… Që ta qartësojmë njëherë e mirë. Kur unë jam lidhur me Endri Priftin nuk kam qenë e martuar, që të qetësohet kjo dynja njëherë e mirë”.