Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi në analizën vjetore për vitin 2024 theksoi se ka vijuar ulja e dosjeve stok që presin për gjykim.

“Kjo ulje e ndjeshme e numrit të çështjeve të prapambetura kërkon një volum pune të konsiderueshëm, por edhe një strategji koherente e frytdhënëse, që falë bashkëpunimit me projektin që mbështetet nga Departamenti i Shtetit, Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit pranë Ambasadës së SHBA, ka rezultuar i suksesshëm”, u shpreh Sadushi.

“Transparenca mbetet orientim kryesor për Gjykatën e Lartë. Sistemi i drejtësisë bëhet më i aksesueshëm dhe i hapur për qytetarët, jo vetëm përmes vendimeve, por edhe përmes mënyrës se si funksionon dhe i qaset publikut.

Gjykata e Lartë cilësohet si institucioni më i hapur dhe më transparent brenda sistemit. Përmes publikimit në kohë reale në faqen zyrtare të vendimeve dhe botimeve të posaçme, si dhe shpërndarjes periodikisht të buletinit informativ elektronik me vendimet më të spikatura, Gjykata e Lartë po synon të bëjë më të mirën e mundshme”, tha ai.

Për vitin 2024 janë dhënë 7639 vendime gjyqësore, nga të cilët 2875 vendime i përkasin Kolegjit Civil, 2591 vendime të Kolegjit Administrativ dhe 2173 vendime të Kolegjit Penal.

“Për këtë vit janë regjistruar 2448 çështje të reja dhe në këtë shifër duhej të ishte sipas standardit ndërkombëtar edhe numri i vendimeve gjyqësore, ndërkohë që janë dhënë 7639 vendime, ose 3 herë më shumë se norma e rendimentit për gjyqtar. Gjykata e Lartë ka mbi 3 vjet që tejkalon standardin ndërkombëtar, duke arritur për 2024 një normë të likuidimit të çështjeve prej 312% dhe me një ngarkesë për çdo gjyqtar me një shifër rekord, afro 449 vendime në vit”, tha Sadushi.