Nga Alban Daci
Shqiptarët i gjen kudo! Tashmë kjo nuk është iluzion egoistë, por realitet. Shqiptarët i gjen kudo edhe atje ku nuk e mendon dhe nuk e pret! Izolimi i Shqiptarëve për shkak të regjimit i kishte bërë të ishin të izoluar jo vetëm me veten, por edhe në raport me të tjerët dhe botën!
Hapja e kufijve, lëvizja e lirë dhe po ashtu edhe vetë globalizimi po i bashkon gjithmonë shqiptarët nën flamurin me kuq e zi me shqiponjën dy krenare, por edhe me gjuhën e shenjtë “Shqipe”.
Sa më shumë dështon politika, duket se aq shumë shqiptarët vazhdojnë të bashkohen nën flamurin Kuq e zi dhe me gjuhën shqipe. Padyshim, rrethanat e reja na krijojnë gjithnjë më shumë bindjen se koha e shqiptarëve, jo vetëm nuk ka mbaruar, por sa ka filluar.
Shekulli shqiptar sapo ka filluar! Për ta besuar këtë mjafton të shikojmë festimet e fundit të Ditës se Pavarësisë në Milano, Athinë, New York, Vlorë, Tiranë, Kumanovë e kudo ku ka shqiptarë.
Shumë pak mund t’a mendojnë e ta besojnë se edhe në Chisinau të kryeqytetit të Moldavisë mund të gjesh shqiptar ose më saktë një ndër restorantet më të mira e ka një shqiptar.
“Sofra Mangal” quhet dhe sapo hynë në oborr mbi faqen e murit shikon hartën dhe aty nuk mungon as harta e Shqipërisë e mbuluar e gjitha me flamurin Kuq e zi. Kur hynë brenda të pret Gjergji me “plis” që mbrapa ka flamurin shqiptar.
Gjergji të flet e të përshëndet me një shqipe të pastër e korrekte sa të len pa fjalë. Të pret siç të pret një shqiptar, ulët në tavolinë me ty, pin si ti dhe të thotë “gëzuar” në shqip.
Gjergji shpjegon se është nga komuniteti shqiptar në Odesa, i cili para konfliktit kishte rreth 2700 anëtarë. Ai thotë se origjina e tij është nga Jugu i Shqipërisë e me shumë gjasa nga Çamëria. Sipas tij, gjyshërit e tij flisnin e shkruani pesë gjuhë të huaja si Rumanisht, Bullgarisht, Turqisht, Rusisht e shqip. Në shpinë e tij gjithmonë ishte folur vetëm shqip. Vazhdojnë të ruajnë zakonin shqiptar që sa hynë në shpi, këpucët hiqen e vendosen pas dere. Gjithashtu Gjergji me pohojë se të gjithat festat duke përfshirë edhe martesat i kanë bërë me flamurin shqiptar.
Familja e tij ishte larguar nga Shqipëria në Bullgari, Rumani e në fund ishte vendosur në Odesa të Ukrainës. Një orë në javë, jo e detyrueshme ishte mësimi i gjuhës Shqipe, por komunitetet e jeta të huja kanë në dispozicion tre orë në javë për mësimin e gjuhës amtare.
Gjergji përshkruan me shumë emocione vizitën e tij të parë në Shqipëri dhe faktin se e viziton vazhdimisht me shumë dashuri. Po ashtu po më thoshte sesa herë ka ndeshja kombëtarja shqiptare me atë të Moldavisë në Chisinau, restoranti i tij kthehet një fole e vërtetë shqiptare e mbushur plotë e për plotë me tifoz kuq e zi.
Gjergji flet një Shqipe origjinale e të pastër sa shpesh edhe të korgjinon për fjalët që ka shqipja sot duke dhënë versionet origjinale të shqipes për fjalët ose për shprehjet! Guzhina e restorantit të Gjergjit është miks me shqiptares, ballkanase dhe asaj Tartare. Në fund na sjellë një ëmbëlsirë kek duke thënë se kjo është ëmbëlsira që bënte gjyshja.
Ja pra, ka shqiptar kudo e aq shumë sa duket sikur jemi një ndër Kombet më të mëdhenj në Botë. Simbolet që na bashkojnë e na mbajnë bashkë është flamuri kuq e zi me shqiponjën dy krenare dhe gjuha “shqipe”. Në bashkohemi me këto element të ADN tonë kombëtare edhe kur politika apo të tjerë mendojnë se mund të na ndajnë!
Bashkë me Gjergjin, në këtë të nate të ftohtë të Chisinau, por të mbushur e ngrohur me fjalët e gjuhës shqipe e me flamurin Kuq e zi, ju përshëndes duke ju thënë” Gëzuar “Ditën e Pavarësisë” dhe “Rroftë Shqipëria dhe shqiptarët kudo ku janë”! Shqiptarët, kudo ku janë mbeten dëshmia më reale dhe më e gjallë e një Kombi që duket i vogël në numra, por jo për nga dimensioni dhe shtrirja në hapësirë dhe në kohë!
Historia jonë kombëtare nuk është ajo që është shkruar në librat e realizmit socialist apo të tranzicionit të këtyre viteve, por është një shumatore e historisë të të gjithë shqiptarëve duke përfshirë edhe këtë të Gjergjit në Moldavi që padyshim na bën krenarë.