Tentativa për vetëmbytje e një 75 vjeçari në Shkodër i cili u hodh në lumin Buna por u shpëtua nga veprimi human dhe kurajoz i dy punonjësve të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Shkodër, ka bërë jehonë në media për veprimin e punonjësve të Policisë duke fituar mirënjohjen e publikut.

Veprim i cili nuk ka kaluar pa u vlerësuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, i cili menjëherë pa njoftimit që mori nga Drejtori i Policisë Shkodër për rastin, u ka dërguar mesazh falënderimi, mirënjohje, inkurajimi e motivimi dy punonjësve të policisë.

Në përmbajtje të mesazhit të kryepolicit Proda vihet theksi te inkurajimi i Policisë, për ta motivuar e drejtuar më shumë nga qytetarët dhe për qytetarët.

Një veprim të tillë mësohet se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda e ka bërë edhe për punonjësit e Forcës së Posaçme Shqiponja të DVP Tirane duke i falënderuar që u vunë me iniciativë në shërbim të qytetares në nevojë duke i hapur rrugën dhe shoqëruar drejt spitalit.

Më poshtë mesazhi i plotë i Drejtorit të Përgjithshëm drejtuar ditën e djeshme dy punonjësve Policisë Shkodër.

I nderuar koleg Kristi Koçeku
U njoha sot me veprimin tuaj dhe të kolegut, veprim që është tërësisht në përmbushje të misionit tonë fisnik dhe që i shërben rritjes së besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit.

Veprime të tilla që mbajnë brenda humanizëm e sakrificë dhe gërshetohen me përkushtim e ndershmëri në vijimësi në kryerjen e detyrës më bëjnë optimist se Policisë së Shtetit me kontributin e të gjithëve do transformohet vërtet në atë Polici që qytetarët duan të kenë.

Si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit jam i prirur dhe i vendosur që të vlerësoj sakrificën, kontributin, përkushtimin dhe ndershmërinë e çdo punonjësi policie në përmbushjen e detyrës që kryen.

Mirënjohje e respekt
Ilir Proda