Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka inspektuar sot punimet në Lotin 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Teksa puna vijon me tre turne në Lotin 5 dhe 6, ministrja tha se kanë përfunduar totalisht Loti 3 dhe Loti 4.

“Kushtet e motit nuk na kanë ndihmuar shumë ditët e fundit dhe ato janë të dëmshme kur vendosen shtresat asfaltike. Lidhja e Lotit 3 me Lotin 4 totalisht të përfunduara, ndërkohë që po punohet intensivisht në Lotin 5 dhe Lotin 6. Janë lote që kanë pasur volume më të mëdha dhe kompleksitetin e madh të shpronësimeve”, tha Balluku. Edhe inxhinieri e pohoi këtë gjë, duke shtuar se “brenda datës 31 Dhjetor do të hapet përfundimisht për të gjitha mjetet”.

Megjithatë, sipas tij, po tregohet kujdes prej kushteve të motit.

“Në lotin 5 na kanë marrë kohë linjat nëntokësore si ujësjellësi apo linja e OSHEE, por është shtruar shtresa e parë e asflatit në gjysmën e parë të gjatësisë. Në lotin 6 ka mbaruar shtresa asfaltike e konglomeratit, në ditët në vijim do jenë dy shtresa të tjera”, tha inxhinieri.

Balluku theksoi se kantieret do monitorohen deri ditën e fundit të punës.

“Do vazhdojmë me inspektimet, ARRSH-ja, stafi i Ministrisë do të jetë deri në ditën e fundit në kantier. Kemi një afat që ka qenë sfidues. Por duhet thënë se në Shqipëri tashmë kemi kompani me kapacitete të jashtëzakonshme dhe që kanë ekspertizën e duhur”, përfundoi ministrja.

Unaza e Madhe e Tiranës ka një gjatësi totale 28.7 kilometra. Shpejtësia e projektuar e lëvizjes është 90 km në orë, një shpejtësi e kufizuar kjo në projektim, siç shpjegojnë ekspertët e ARRSH, për shkak të shumë hyrje-daljeve.