Kronika e ngjarjeve të paradites së djeshme, solli dy lajme që ndodhën pothuaj në të njëjtën kohë, në aksin fier-Vlorë.
Në Cakran të Fierit, dy nxënës janë grindur mes tyre në klasë dhe më pas njëri prej tyre ka nxjerrë biçakun dhe ka goditur në krah shokun e klasës. Ky i fundit, i lënduar ka marrë trajtim në spital.

Në pothuaj të njëjtën orë, në Vlorë, policia nxorri një njoftim për gjetjen të fshehur të pistoletës së një 14-vjeçari.
Përveç faktit që kemi të bëjmë me të mitur, dy ngjarjet në dukje larg njëra-tjetrës, kanë shumë të përbashkëta. Kanë shumë më tepër informacion për të dhënë, nga sa ofron kronika. Dhe padyshim, shumë mësime.
Nga burimet jo vetëm të policisë, por edhe të dëshmitarëve, mësohet se në rastin e Cakranit, stafi pedagogjik i shkollës kishte vënë re sjellje të pazakonta të djalit, dhe kishte njoftuar babanë. Mësohet gjithashtu se prindërit e djalit në fjalë janë të ndarë.
Ndërkohë që në Vlorë, ka ndodhur diçka tjetër. Babai i djalit ka mësuar për regjistrime që ai ka bërë me armën në mal, të cilat më pas i ka hedhur në TikTok. Babai ka shkuar dhe ka takuar drejtoreshën e shkollës dhe oficerin e sigurisë. Pasi ka komunikuar me ta, kanë njoftuar menjëherë policinë. E cila është vënë në veprim dhe ka bërë të mundur gjetjen e armës.

Tani, kemi dy ngjarje përballë njëra tjetrës. Të dyja kanë të përbashkët të mitur, të cilëve u bien në duar armë.
Të dyja kanë të përbashkët, pasojat potenciale që mund të ketë përdorimi i tyre.
Të dyja kanë të përbashkët, stafet e shkollave që vendosen në komunikim me prindërit për problematikat e shfaqura në sjelljen e fëmijëve.
Ku dallojnë mes tyre?

Në rastin e Cakranit, prindi reagoi me indiferencë ndaj paralajmërimeve të mësuesve për sjelljen e djalit. Dhe ndodhi plagosja.
Në rastin e Vlorës, prindi reagoi me shqetësim, kontaktoi me shkollën, u njoftua policia. Dhe u shmang një ngjarje potencialisht e rëndë.
Ah po, kishin edhe diçka tjetër të përbashkët dy ngjarjet. Rrjetet sociale. Në Cakran, sherri kishte nisur në SnapChat. Në Vlorë, babai e kishte parë videon e djalit me pistoletë në TikTok…/ Lexo.al